Sport
Skandaloze, Federata licencoi klubet me borxhe!
Demokracia
14:27 | 26 Nëntor 2021

Share:

Gazetari i njohur sportiv në Shqipëri, Lirim Zalla, i cili ka qenë disa vite më parë edhe zëdhënës i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka mbështetur dje investigimin e bërë nga “Panorama Sport” lidhur me skandalin e FSHF-së me paratë e UEFA-s. Ai tregoi se si funksionon shpërndarja e shpërblimeve për klubet nga qeveria e futbollit, ndërsa e cilësoi federatën si institucionin që u bë strehë e Tiranës për të bërë veprime joligjore.

“Federata jonë gjithmonë ka përdorur një slogan, ‘Futbolli nuk është vetëm lojë’. Kjo është e vërtetë, futbolli është përfaqësi, organizim, ekonomi, financë, biznes.

Pra, nuk është vetëm lojë. Gjithmonë e ka ditur këtë federata, por ajo që nuk ka ditur që do të vinte edhe kjo ditë”, ka thënë fillimisht Lirim Zalla, i ftuar dje në emisionin “Ëake Up” në televizionin “Top Channel”.

HISTORIA ME TIRANËN

Ish-zëdhënësi i FSHF-së ka treguar detaje nga historia e gjyqit të ish-presidentit të ndjerë të Tiranës, Metush Seferi, me klubin bardheblu, teksa bëhet fjalë për një vendim të formës së prerë dhe të paapelueshëm për një borxh mbi 600 milionë lekë të vjetër.

“Unë kam qenë dëshmitar se çfarë ka ndodhur me klubin Tirana. Metush Seferi ishte një president që bëri një marrëveshje. Ai tha se do ta ndërtonte klubin dhe që do të paguante gjithçka dhe çfarë do të fitonte do t’i ndanin.

Kështu ndodhi në fakt. Seferi u zgjodh president, fitoi disa tituj kampion me Tiranën dhe Kupa të Shqipërisë, por kaloi edhe ture në Kupat e Europës dhe klubi në fund fitoi shumë para. Histori suksesi edhe në rezultate, por edhe në biznes.

U mblodhën te Teatri i Kukullave dhe aty e hoqën Metush Seferin. Asambleja e Tiranës u bë te Teatri i Kukullave dhe aty i thanë: ‘Ik se nuk na duhesh më’. Ai e ndoqi në rrugë ligjore me juristë këtë vendim të asamblesë. I ndjeri kishte një ndër avokatët më të mirë në Shqipëri dhe arriti ta fitonte gjyqin.

Më pas Tiranës iu bllokuan numrat e llogarisë dhe fati më i keq është se nuk e kuptuan asnjëherë se duhej shlyer borxhi. UEFA ka rregulla shumë të forta, nuk lejon që të mos shlyhen borxhet. Nuk ka skuadra që të luajnë me borxhe. Nuk ke të drejtë të luash në kompeticionet europiane. Në rast se je në borxh, shpall falimentin, nuk është ndonjë çudi e madhe.

Çështja do të vazhdojë në bazë të rregullave që ka UEFA, prandaj FSHF është e detyruar që t’i ndjekë ato sipas ligjeve që ka shteti shqiptar. Tashmë Tirana gjeti strehë në këtë veprim joligjor në FSHF, sepse ndërtoi numra të tjerë llogarish bankare, por nuk e di se në emër të cilit.

E bëri këtë për të kaluar FSHF-ja paratë që vinin nga UEFA për Tiranën. Vetëm sezonin e kaluar Tirana ka fituar 1.2 milionë euro nga pjesëmarrja në Kupat e Europës.

UEFA i ka dhënë këto para, mirëpo nuk kanë si shkojnë në numrat e llogarisë të Tiranës, se ndonjëherë borxhi kalon te të tretët. FSHF-ja, që është organizmi kryesor, që do t’i kalojë këto para nga UEFA te klubi, nuk i ka kaluar në llogarinë zyrtare të Tiranës. Kjo ishte e qartë edhe te shkrimi i gazetës ‘Panorama Sport’.

Gjëja më e lehtë e verifikimit është në gjuhën bankare. Ata të kishin treguar një letër që paratë që kanë ardhur, kanë kaluar atje. Kjo është shumë e thjeshtë. Ta japin numrin e llogarisë së Tiranës, të thonë se ky është numri që kanë kaluar lekët. Përmbarimi bën punën e vet dhe të tretët marrin paratë e tyre dhe borxhet. Unë flas për kalimin e parave, FSHF-Tirana. Ka një gjë, UEFA ia kalon FSHF-së, sepse atë ka anëtare të vet, nuk ka klubet. Më pas FSHF-ja ua kalon klubeve.

Janë të dyja këto institucione që japin licencimin. Një nga pikat që klubet nuk mund të licencohen, është kur ke borxhe. Nuk mund të marrësh licencë për të luajtur në Europë kur ke borxhe. Nuk ka shans, është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Këta bëjnë gabim që menjëherë merren me gazetën.

Asgjë nuk i kanë bërë ‘Panorama Sport’, thjesht ia kanë rritur vlerën si gazetë. FSHF është mësuar që t’i shkojnë gazetarët prapa, prandaj e quajnë fletushkë këtë. Puna këtu është kush bën gazetari. Që një institucion të hedhë në gjyq gazetën është humbje për institucionin dhe fitim për gazetën e të gjitha profileve të saj.

Unë e lexova me vëmendje ‘Panorama Sport’. Historia është që gazetarët nuk janë të luajtur mendsh dhe nxorën këto gjëra. Tirana nuk ka përse të bëjë zhurmë, por të shlyejë borxhet dhe të vazhdojë të luajë në Europë. Ka një vendim të formës së prerë pa të drejtë ankimimi”. /Demokracia.com

Të ngjashme