Komisioni disiplinor i shkallës së parë, në mbledhjen e mbajtur me datë 23.11.2021 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 14-të të BKT Superligës dhe xhiros së 13-të të VIVA FRESH Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B , edicioni 2021-2022.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka kërkuar deklaratë shtesë nga kryetrajneri i Vushtrrisë, Samuel Nikaj për shkak të ofendimeve drejtuar organeve të FFK-së.
Nikaj u ndëshkua me karton të kuq në barazimin 1-1 kundër Ferizajt në stadiumin “Ferki Aliu” në Vushtrri, pasi festoi golin e barazimit në minutat e fundit të takimit duke ofenduar me ton të lartë organet e FFK-së.
“Kryetrajneri i KF Vushtrria, Samuel Nikaj me nr ID.015755M77. Në minuten 90+ pas barazimit të rezultatit, feston golin në mënyrë provokative dhe ofendon me ton të lartë organet e FFK-së, me ç’rast është ndëshkuar me karton të kuq. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes Vushtrria-Ferizaj, Liga e Parë Grupi B. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga kryetrajneri i FC “Vushtrria”. Afati datë 26.11.2021 ora 13:00”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com