Prishtina ka arritur të marrë një fitore me peshë në Superligën e Kosovës në futboll pasi e ka mposhtur sot Feronikelin 2:0 në sfidën e zhvilluar në “Fadil Vokrri” në kuadër të javës së 15-të të BKT Superligës së Kosovës në futboll.
Leonit Abazi dhe Bleart Tolaj kanë realizuar për bardhekaltrin për t’i dhënë tri pikë të cilat e qojnë në kuotën e 21 pikëve në tabelë, shkruan Demokracia.com.
Kryetrajneri i FC Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq e ka vlerësuar të vështirë fitoren ndaj “Industrialistëve”.
“Ishte një fitore e vështirë, ashtu siç e kemi parashikuar, pasi Feronikeli u mbyll para portës mirë dhe na detyroi që gjatë tërë pjesës së parë ta kërkojmë golin. Arritëm të shënojmë dy gola në pjesën e dytë dhe të sigurojmë fitoren që është e rëndësishme. Po punojmë që ekipi të përmirësohet edhe më shumë dhe besoj që do të jemi më të mirë”, ka deklaruar trajneri boshnjak për Art Sport.
Prishtina me këtë fitore renditet në pozitën e pestë tabelore me 21 pikë. /Demokracia.com