Barazia
“Ecni prej këtu”, rrëfimi për trajtimin e komuniteteve, organizatat kërkojnë gjobitjen e lokaleve
Demokracia
21:00 | 22 Nëntor 2021

Share:

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të dielën ka ngritur shqetësim se në lokalet e gastronomisë në Kosovë qytetarë e  komunitetit joshumicë nuk janë shërbyer. Ministri ka përmendur në mënyrë të veçantë një rast në Gjakovë. Lidhur me këtë për Demokracia.com ka folur me një dëshmitar, i cili thotë se ka parë ngjarjen.

Ai tregoi në kushte anonimiteti se si disa qytetarë të komunitetit joshumicë nuk kanë marrë mbrëmë shërbime nga kamerierët e një lokali të gastronomisë në Gjakovë.

“Isha në mbrëmje bashkë me shoqen time duke pijë kafe në “Happy” ndërkohë vijë katër persona te komunitetit dhe sapo ulen shkon kamerieri dhe ju thotë a kini jeni të vaksinuar këta përgjigjen jo, dhe unë pyes kamerierin pse dolën jashtë ata djemtë nga komuniteti tha nuk janë të vaksinuar, por as unë thash nuk kam vaksinuar pse nuk më qite jashtë edhe mua, ai u përgjigj urdhër nga shefi. Në ndërkohë djemtë në fjalë e kanë thirr policinë, dhe policia ju tha se nuk kemi çka me ju bo. Mandej djali i pronarit të lokalit ka dal dhe ju tha ecni prej këtu s’po duam me ju lanë brenda”, tregoi ai për Demokracia.com.

Një gjë e tillë u mohua mbrëmë nga vetëdrejtuesit e lokalit “Happy”.

Për pretendimet se a është raportuar rasti në polici, Demokracia.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për rajonin e Gjakovës, të cilët thonë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër nga organizata jo qeveritare CSGD Kosovo, mos shërbimin e qytetarëve të komunitetit joshumicë në një lokal të gastronomisë në Gjakovë, e cilësojnë si sjellje negative dhe thonë se këto duhet të adresohen në organet kompetente.

Në përgjigjen e tyre për Demokracia.com thuhet se e gjithë shoqëria duhet të kuptojë se veprimet raciste, diskriminuese e paragjykuese nuk do të tolerohen dhe se legjislacioni në Kosovë i mbron të gjithë qytetarët nga çdo lloj i shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Ne si CSGD e ka marr këtë lajm me shqetësim të madh dhe ne konsiderojmë që refuzimi i shërbimit të klientëve në këtë rast është diskriminim i drejtpërdrejtë në bazë të përkatësisë etnike e që gjithashtu është edhe racizëm dhe mendimi ynë është që kjo vjen pikërisht nga racizmi i personave përgjegjës në lokal. Këto sjellje negative duhet të adresohen në organet kompetente në mënyrë që e gjithë shoqëria të kuptojë se veprimet raciste, diskriminuese e paragjykuese nuk do të tolerohen dhe se legjislacioni në Kosovë i mbron të gjithë qytetarët e saj nga çdo lloj i shkeljeve të të drejtave të njeriut. Mendojmë që rasti fillimisht të raportohet në polici ose prokurori, të Avokati i Popullit si dhe të organizatat e shoqërisë civile të cilat ofrojnë ndihmë juridike falas, në të cilën jemi edhe ne, apo që dokumentojnë rastet e diskriminimit, racizmit dhe formave të tjera të shkeljes së të drejtave individuale”, thuhet në përgjigjen e CSGD.

Në shqetësimin e tij, ministri Elbert Krasniqi kërkoi po ashtu që lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojnë të gjithë.

“Lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë! Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre!”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa nga CSGD thonë se thirrjet për bojkotim janë të mirëseardhura, por, sipas tyre këto nuk do të ndryshonin situatën sa do të ndryshonte gjobitja dhe, nëse ka bazë ligjore, edhe mbyllja e lokalit për një periudhë të caktuar.

“Po ashtu, rol të rëndësishëm kanë shkollat, në të cilat nxënësit/nxënëset do të duhej të edukohen në këtë aspekt, që të eliminohen bindjet raciste dhe të kuptohen konceptet bazë të barabarësisë, të drejtave individuale etj. Sa i përket bojkotimit të lokalit, në mendojmë që në këtë rast, pas raportimit dhe dhënies së dëshmive, ky lokal do të duhej së pari të gjobitej e pastaj të ndermirën masa të tjera komfor legjislacionit tonë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke kërkuar hetime të shpejta nga Policia e Kosovës.

“Sipas një informate të postuar nga ministri Elbert Krasniqi, disa lokale gastronomike në Gjakovë paskan refuzuar t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe për këtë arsye ministri Krasniqi ka propozuar që të bojkotohen këto lokale nga qytetarët tjerë. KMDLNj –së nuk ka informata të verifikuara që e mbështesin këtë deklaratë të ministrit Krasniqi, prandaj thërret Policinë e Kosovës që , mbështetur në deklaratën publike të një zyrtari të lartë institucional , të fillojë hetimet pas së cilave , nëse sigurohen prova, do të merreshin masa ligjore ndaj atyre që , duke refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve bëjnë shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës , si akti më i lartë juridik sikur që këto të drejta janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut , nga Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut , Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, thuhet në reagim.

Po ashtu edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, nëpërmjet një reagimi ka dënuar rastin e diskriminimit të qytetarëve të komuniteteve joshumicë, të cilët nuk janë shërbyer brenda një lokali në Gjakovë.

“Si deputetë të Kuvendit të Kosovës jemi të shqetësuar dhe kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të merren me hetimin dhe trajtimin meritor nga organet kompetente. Po ashtu, gjithçka rreth këtij rasti të bëhet publike, në mënyrë që të shërbejë si shembull që raste të ngjashme të mos përsëriten më, asnjëherë në shoqërinë tonë”, thuhet në reagim.

Ndërsa Partia Liberale Egjiptiane (PLE) ka kritikuar përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Qeveri për reagime sipërfaqësore.

“Si të tilla janë sinjale që institucionet shtetërore duhet akoma më shumë të bëjnë në mbrojtjen dhe lirin e të drejtave të njeriut në Kosovë, në fokus të veçantë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Për më tepër, Subjekti Politik PLE inkurajon që rastet e tilla të raportohen sa më shumë nga komunitetet joshumicë. Të tilla veprime të shëmtuara derivojnë nga diskriminimi sistematik institucional që i bëhet komuniteteve joshumicë tash e sa kohë dhe po që se këto komunitete të ishin më të përfaqësuara në institucione vendim-marrëse të drejtësisë, potencialisht edhe luftimi i dukurive të tilla negative do të ishte më efikase”, thuhet në njoftim.

Edhe Shoqata e Gastronomeve ka dënuar sjelljen e kamerierëve kundrejt qytetarëve të komunitetit joshumicë, duke thënë se kjo shoqatë është kundër çdo diskriminimi racor, gjinor, fetar e kulturor.

“Dënojmë ashpër diskriminimin ndaj komunitetit rom, në një nga lokalet e Gjakovës. Rrjedhimisht, nuk përfaqësojmë dhe nuk i pranojmë që të jenë pjesë e Shoqatës subjekte të ngjashme që shpërfaqin një akt të tillë!”

Pas shqetësimit të ministri Krasniqi, kanë reaguar edhe fytyra të njohura publike të cilët e kanë dënuar sjelljen e lokalit të gastronomisë që nuk iu ka shërbyer qytetarëve të komunitetit joshumicë./Demokracia.com/

Të ngjashme