Sport
Munishi: Do ta bëjmë historinë në Kosovë dhe garat evropiane me Gjilanin
Demokracia
16:24 | 08 Nëntor 2021

Share:

Skuadra e Gjilanit është një nga kandidatët kryesor për të triumfuar në edicionin 2021/22 në Superligën e Kosovës në futboll. “Kuqebardhët” pas 13 ndeshjeve këtë edicion të garave kanë grumbulluar 22 pikë dhe ndodhen në pozitën e dytë.

Gjilanasit këtë edicion kanë realizuar plot 16 gola, duke pësuar 11 të tillë. Sulm më të mirë se Gjilani kanë vetëm Ballkani dhe Drenica me nga 17 gola në total.

Një statistikë tejet interesante dhe e rrallë në futbollin kosovar e ka karakterizuar Gjilanin në 13 ndeshjet e para të zhvilluara deri më tani.

Besojeni ose jo, Gjilani nuk e ka shënuar asnjë gol në 45 minutat e para të lojës në këto takime.

Golin më të hershëm për “Skifterat” e ka realizuar mesfushori, Besar Musolli në minutën e 48-të në disfatën e Gjilanit 2-3 nga Ulpiana.

Gazeta ka kontaktuar me trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishin për të marrë një mendim të tij në lidhje me këtë statistikë.

Munishi tha se kjo ndodhë për shkak se kundërshtarët po i frikësohen skuadrës së tij, andaj po e nisin takimin me dhjetë lojtarë në mbrojtje.

Na frikësohen shumë skuadrat dhe fillojnë me dhjetë lojtarë në mbrojtje. Por pastaj në fund po dorëzohen shumica nga ta. Nuk kanë faj. Ne jemi super skuadër”, tha Munishi të hënën për Demokracia.com.

Ndonëse, Gjilani është në hap me kreun e tabelës dhe është në luftë për titull të kampionit, Munishi u shpreh se “Gjilanin e vërtetë do ta shohin javëve të ardhshme”.

Akoma nuk e keni parë Gjilanin e vërtetë. Jemi në ngritje javë pas jave. Jemi skuadra më stabile në Superligë në të gjitha aspektet”, shtoi Munishi.

Trajneri prishtinas theksoi se ai me skuadrën e tij do ta shkruajnë historinë në futbollin e Kosovës.

Do ta bëjmë historinë në Kosovë dhe do t’iu japim shembull edhe si luhet në garat evropiane”, nënvizoi në fund trajneri i mirënjohur kosovar.

Gjilani xhiron e 14-të viziton Lipjanin për t’u përballur me Ulpianën dhe për të kërkuar “hakmarrje” për disfatën e shkaktuar në javën e pestë kampionale (2-3). /Demokracia.com

Të ngjashme