Sport
Katapultat GPS të FFK-së, Luzi: As federata italiane nuk e ka bërë këtë projekt, kjo më jep dëshirë të punojë
Demokracia
11:14 | 04 Nëntor 2021

Share:

Federata e Futbollit të Kosovës po vazhdon të dorëzojë te klubet e Superligës pakon e katapultave GPS.

Numri një i shtëpisë së futbollit kosovar, Agim Ademi gjatë ditës së mërkurë (dje) vizitoi klubin e Dukagjinit në Klinë, shkruan Demokracia.com.

Ademi e ka shpalosur rëndësinë e këtij projekti para futbollistëve dhe shtabit teknik të skuadrës klinase që u promovua këtë edicion në mesin e skuadrave elitare.

Ndihmëstrajneri i Dukagjinit, Artan Luzi lavdëroi punën e FFK-së në lidhje me këtë projekt.

Luzi ndër të tjera tha se këtë projekt nuk e gëzon as federata italiane, duke thurrur lëvdata për FFK-në.

“Të falënderoj shumë president për këtë projekt. Kjo është një gjë shumë e mirë për futbollin e Kosovës, për trajnerët dhe për vetë futbollistët. Di të them se Federata italiane si një prej federatave më të mëdha evropiane nuk e ka bërë ende këtë që ju tashmë e keni bërë realitet. Kjo është si një risi në futbollin tonë, që do të na ndihmojë shumë në punën tonë si trajner. Por, kjo më tepër do t’i shërbejë brezave të ardhshëm, sepse me këtë projekt keni futur një kulturë të re në futbollin tonë. Kjo është ajo që më jep më tepër dëshirë për të punuar sepse e di që tashmë i kemi kushtet që t’i përgatisim brezat e ardhshëm me teknologjinë e fundit, që ne s’kemi mundur ta bëjmë për shkak të mundësive tona ekonomike”, ka thënë Luzi për faqen zyrtare të FFK-së.

Dukagjini pas 12 javësh në Superliga ka tubuar 11 pikë dhe pozicionohet në vendin e nëntë në renditjen tabelore. /Demokracia.com

Të ngjashme