Ylli i Ballkanit, Ermal Krasniqi ka fituar çmimin “Ylli i Javës” në xhiron e 11-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.
23-vjeçari i “portokallezinjve” nga Suhareka, Ermal Krasniqi, dha kontribut të madh në triumfin e skuadrës së tij ndaj kampionit në fuqi FC Prishtina, me një gol dhe një asistim, shkruan Demokracia.com.
Për sulmuesin e Ballkanit, i cili po kalon formë të jashtëzakonshme, kjo është hera e dytë që shpallet “Ylli i Javës” në këtë edicion, pasi këtë çmim e kishte fituar edhe në xhiron e dytë.
Federata e Futbollit të Kosovës së bashku me sponzorin Bankën Kombëtare Tregtare për çdo xhiro po ndajnë çmimin “Ylli i Javës” në Superligë.
Çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin e Ballkanit e ndanë Fisnik Morina, menaxher i degës së BKT në Fushë Kosovë dhe Festa Hajdari, Retail Senior Specialiste në degën e BKT në Gjilan. /Demokracia.com