Lajme
Rama: Njohja e Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë
Demokracia
09:13 | 10 Tetor 2021

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për televizionin spanjoll “RTVE”, ka folur edhe për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e dialogut që dy shteteve.

Rama ka thënë se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Tensionet janë pjesë e këtij procesi. Ne nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është se tensionet lindin por edhe treten pasi të dy palët, sidoqoftë, komunikojnë dhe përpiqen të gjejnë zgjidhjet e nevojshme  për njerëzit. Nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe sepse kemi bashkëpunim rajonal, me takime dhe mbledhje të shumta, vajtje-ardhje dhe samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja  Jugosllavisë, e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë Rama.

Duke folur për çështjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmendur faktin se Spanja është një  nga 27 vendet që ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, Rama ka thënë se pozicioni i Madridit zyrtar nuk ndërlidhet fare me shqiptarët apo me Kosovën, por me historinë e vetë Spanjës dhe problemet e brendshme.

Rama shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të bëjë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian./Demokracia.com/

Të ngjashme