Klubi më i trofeshëm i futbollit kosovar, FC Prishtina ka prezantuar sot transferimin e ri, Besart Berishën.
Berisha u prezantuar në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e presidentit të klubit, Remzi Ejupit, përcjell Demokracia.com.
Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi në konferencë tha se ata kanë qenë në kontakt me Besart Berishën, por tha se largësia ishte ajo që i pengonte ata.
“Me Berishën kemi qenë në kontakt vazhdimisht. Berisha ka qenë gjithmonë i gatshëm, por fatkeqësisht ka qenë larg”, tha Remzi Ejupi në konferencën për gazetarë.
Tutje, i pari i klubit kryeqytetas theksoi se lojtarët si Besart Berisha i kanë dyert e hapura te klubi që ai drejton.
“Lojtarët si Berisha, me bagazh nga ligat evropiane, gjithnjë do t’i kenë dyert e hapura te FC Prishtina”, shtoi numri një i FC Prishtinës.
36-vjeçari do ta mbajë numrin 33 në fanellën e klubit “bardhekaltër”.
Besart Berisha kulmin e karrierës e kishte në Australi atje ku arriti të stolisej katër herë me titullin kampion.
Berisha njëkohësisht është edhe golashënuesi më i mirë në histori të futbollit australian me 147 gola. /Demokracia.com