Klubi më i trofeshëm i futbollit kosovar, FC Prishtina ka prezantuar sot transferimin e ri, Besart Berishën.
Berisha u prezantuar në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e presidentit të klubit, Remzi Ejupit, shkruan Demokracia.com.
Pas prezantimit në stadium, Berisha dhe presidenti Ejupi mbajtën një konferencë për gazetarë.
Berisha në pyetjen e gazetarit se a do të jetë Prishtina klubi i fundit në karrierë, ai deklaroi se shpreson ta mbyllë me Prishtinën karrierën e tij.
“Shpresoj që Prishtina të jetë klubi i fundit. Gjithmonë kam ëndërruar, këtu e kam nisur karrierën edhe pse nuk kam luajtur me klubin e Prishtinës”, ka thënë ai.
36-vjeçari do ta mbajë numrin 33 në fanellën e klubit “bardhekaltër”.
Besart Berisha kulmin e karrierës e kishte në Australi atje ku arriti të stolisej katër herë me titullin kampion.
Berisha njëkohësisht është edhe golashënuesi më i mirë në histori të futbollit australian me 147 gola. /Demokracia.com