Disa minatorë të minierës së “Trepçës” i janë futur grevës nga e enjtja, kjo pasi që ata nuk kanë marrë pagat e muajit janar.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani, ka thënë për KosovaPress se në grevë kanë hyrë minatorët e ndërrimit të dytë të horizontit të X.
“Ndërrimi i dytë i horizontit të dhjetë nuk ka punuar , ndërsa horizontet tjera kanë punuar. Atje kemi qenë me drejtorin e ‘Trepçës’ dhe sindikatave, ku kanë qenë në grevë 20 deri në 25 minatorë të cilët drejtori i njoftoi se do të presin edhe 4 ose 5 ditë për t’u bërë pagesa pra deri të shitet koncentrati, brenda javës së ardhshme do të dalin 100 përqind e rrogës. Mirëpo punëtorët nuk pranuan. Ndërrimi i tretë i ka 45 punëtorë pra në fund kanë mbetur 10 punëtorë që nuk kanë dashtë me dalë dhe ndërrimi i tretë nuk ka hy hiç, pra kanë shkuar në shpi”, tha Osmani.
Ndërkohë që Osmani thotë se nuk dihet nëse grevës ia janë bashkuar edhe punëtorët e ndërrimit të parë dhe të tretë.
”Nuk e dimë nëse ndërrimi i pare dhe i tretë ka hyrë në grevë, nuk na kanë lajmëruar asgjë”, tha Osmani.