Mbi 1 milion e 600 mijë fletëvotime janë shtypur për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ato tashmë kanë arritur në Kosovë dhe të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për Demokracia.com ka thënë se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak.
“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”, ka deklaruar Elezi.
Sipas Elezit, bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak.
Kujtojmë se në mesnatën e sotme do të mbyllet edhe fushata zgjedhore për partitë politike./Demokracia.com