Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ironizuar me vendimin e qeverisë në detyrë, për lehtësim të masave anti-COVID.
Sipas vendimit të marrë të enjten nga Qeveria Hoti, tri ditë para zgjedhjeve, të gjithë ata që vijnë nga jashtë, përfshirë edhe kosovarët, duhet të paraqesin testet negative për COVID-19, në të kundërtën obligohen të karantinohen për shtatë ditë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’ ka kritikuar vendimet e djeshme të Qeverisë e në vecanti atë për teste PCR për mërgimtarët duke thënë se qëllimet politike të kësaj Qeverie i tejkalon ato të LVV-së për rritje votash, përcjell Demokracia.com
“Ani teste PCR për ata që vijnë. Të lodhët jeni seriozisht. Pse po ndaleni aty? Lypjauni vërtetimin që janë vaksinu, kasko sigurimin për kerre, vërtetimin nga gjykata në diasporë që nuk janë duke u hetuar, certifikatën e bashkimit familjar, dhe lëreni veç nga një polic në pika. As aty mos u ndalni. Votuesve që janë në Kosovë nën 25 vjeç kërkojani fotografinë e votës së prindërve edhe kërkoni që me qenë e njëjtë. Qysh me u nda vota familjare? Mos e harroni këtë gjë ju që merrni kësi vendime. Kurgjë s’ka bë VV për ta rrit votën e vet sa ja keni ndihmuar ju me budallakina pa kufi. Juve ja u kisha kërku një test/vërtetim tjetër për me hi në institucione”, ka shkruar Ahmeti./Demokracia.com