Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se nëse Albin Kurti i fiton zgjedhjet atëherë Qeveria e drejtuar nga ai do ta bisedojë me Izraelin dhe anëtarët e BE-së çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Abazi në RTV Dukagjini ka thënë hapja e ambasadës në Jerusalem është “një prej çështjeve më komplekse të krijuara në historinë e re të Kosovës”, përcjell Demokracia.com.
“Është poashtu komplekse, të diskutohet në nivelin diplomatik, sepse qëndrimi i BE-së është i rëndësishëm. Sepse për Kosovën, ka rëndësi qëndrimi i BE-së. Qeveria Kurti, do të ulet të bisedojë edhe me Izraelin edhe me anëtarët e BE-së, për këtë çështje. Nuk mund të injorohet qëndrimi i BE-së”, ka thënë Abazi.
Kujtojmë se edhe bashkëpartiaku i Abazit, Glauk Konjufca ditë më parë deklaroi se çështja e hapjes së ambasadës në Jerusalem duhet të bisedohet edhe një herë./Demokracia.com/