Këtë të enjte mazhoranca dhe opozita pritet të zhvillojnë debate maratonë mbi programin qeverisës të “Rama 3”. Partia Demokratike kërkon rikthimin e kryeministrit në Kuvend si kusht për të vijuar diskutimet.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi se kryeministri do të rikthehet në Kuvend rreth orës 17:00, por as në këtë orar z. Rama nuk është paraqitur.
17:48-PD kërkon shpjegime për mungesën e Ramës
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj kërkon shpjegime nga kryeparlamentarja për arsyet se pse kryeministri nuk u paraqit në orën 17:00, ashtu sikurse e njoftoi.
“Thatë që kryeministri do vinte në 17:00. Kjo është të tallesh me shqiptarët. Znj. kryetare, duhet të na thuash pse nuk erdhi në orën 17:00? Qytetarët duhet ta dinë se pse nuk erdhi”, tha Rushaj.
17:30-Rinis seanca plenare, fjalën e merr zv.kryeministri Arben Ahmetaj
Pas dy ndërprerjeve, ka rinusr seanca plenare me fjalën e zv. kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili tha se mandati i tretë do fokusohet për zhvillimin e mëtejshme të shoqërisë.
Ai tha se tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje të forta gjatë mandatit të dytë të Partisë Socialiste. Sipas tij, aktualisht janë rikuperuar të gjithë vendet e punës që humbën për shkak të efekteve të pandemisë së COVID-19, shkruan euronews.al.
17:20- Ndërpritet seanca për herë të dytë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj bllokoi foltoren e Kuvendit dhe kjo bëri të ndërpritet seanca për herë të dytë.
17:00- PD kthehet në Parlament, mungon kryeministri Edi Rama
Pas disa minutash ndërprerje ka nisur seanca e tretë parlamentare, ndërsa përkundër kërkesës së Partisë Demokratike kryeministri Edi Rama nuk është paraqitur ende në Parlament.
16:30- PD kërkon kthimin në sallë të kryeministrit
Partia Demokratike fillimisht kërkoi që seanca të ndërpritet deri në kthimin e kryeministrit në sallë, ndërsa Lulzim Basha nuk pranoi të flasë.
“Propozojmë të ndërpritet seanca deri sa të vijë kryeministri. Unë kërkoj pezullimin e seancës dhe mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Unë nuk mendoj se ka seancë më të rëndësishme se sa kjo, ku do të mbrohet plani ku kryeministri ka për katër vitet e ardhshme”, tha Alfred Rushaj, deputet i PD.