Rreth 22 emigrantë të dyshuar, të cilët ishin rrëmbyer nga persona të armatosur në një hotel në Meksikë janë shpëtuar, thonë autoritetet.
Ata u rrëmbyen kur burra të armatosur sulmuan hotelin ‘Sol y Luna’ në qytetin qendror të Matehuala, në orët e para të së martës.
Viktimat, të cilat përfshijnë fëmijë dhe një grua shtatzënë, janë kryesisht nga Haiti dhe Kuba, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Informacionet e mëparshme kishin thënë se disa ishin venezuelianë.
Personat e armatosur gjithashtu rrëmbyen 16 meksikanë.
Ndërsa meksikanët u liruan më herët, të huajt u gjetën pranë një rruge në një zonë të largët. Ata po marrin ndihmë mjekësore.
Rrëmbyesit kishin mbërritur me tre vetura SUV, tha zyra e prokurorit në shtetin San Luis Potosi. Ata morën gjithashtu ditarin e hotelit të mysafirëve, duke e komplikuar kërkimin.
Emigrantët që hyjnë në Meksikë me shpresën për të kaluar në SHBA mund të përballen me një rrezik të konsiderueshëm, nga përdhunimi dhe vrasja deri në rekrutimin nga bandat e drogës. Disa mbahen derisa familjet e tyre të paguajnë për lirimin e tyre.
Numri i emigrantëve që drejtohen për në SHBA përmes Meksikës u rrit pasi presidenti Joe Biden mori detyrën, duke premtuar se do të hiqte disa nga kufizimet e paraardhësit të tij Donald Trump për imigrimin. /Demokracia.com/