Lajme
​Merkel e quan të pazëvendësueshëm Procesin e Berlinit, Rama kritikon Kosovën
Demokracia
18:15 | 14 Shtator 2021

Share:

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në kuadër të vizitës në Shqipëri ku ka takuar krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, ka bërë të ditur se procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm, ndërsa iniciativën për tregun e përbashkët rajonal thotë se e përkrah shprehimisht dhe se iniciativa të tilla e bëjnë më të fuqishëm procesin e Berlinit dhe shpreson se ato do të vijojnë. Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vazhduar ta hedhë kritika karshi Kosovës, e cila nuk po e përkrah Open Ballkan, me arsyetim se po përdorë teori konspirative.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Rama, kancelarja Merkel tha se edhe në takimin e sotëm me krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor janë dakorduar që sa më shumë të bashkëpunohet në këtë aspektin rajonal.

Derisa e ka përshëndetur këtë bashkëpunim rajonal, Merkel shpreson që të vijohet në këtë drejtim në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me 4 marrëveshjet sikundër i quajmë, jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në një nivel në këto marrëveshje. Disa janë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar t’i bashkohen kësaj iniciative, por sot ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst aq më mirë dhe aq më i fuqishëm do të jetë procesi i Berlinit… Bashkëpunimit në nivel rajonal një ide e cila është pranuar nga BE apo nga këndvështrimi nëse ju takoheni kjo është e drejtë e juaj dhe unë e përshëndes këtë shprehimisht dhe shpresoj shumë që të vijoni në këtë drejtim. Zemra ime rreh për këtë rajon edhe pse nuk do kem të njëjtën detyrë sikundër deri më tani”, u shpreh kancelarja gjermane.

Ndërsa, e pyetur se a përkrah më shumë “Ballkani i Hapur” apo procesin e Berlinit të vitit 2014, kancelarja gjermane tha se procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm.

“Porcesi i Berlinit nëse më lejoni të them është bërthama e gjithçka sigurisht në këtë kontekst procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij procesi por shikoni pikë së pari Ballkani Perëndimor ka mësuar të bashkëpunoj me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të qëndrojnë ulur me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Ndërsa, më kritik karshi Kosovë e cila nuk po e përkrah “Open Ballkan” ishte kryeministri Rama i cili e ka quajtur të pabesueshëm faktin se si Kosova nuk po e shfrytëzon këtë iniciativë për vetën e saj, por “po bënë teori konspirative”.

“Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Faktikisht procesi i dakordimit mes 6 vendeve është një proces i ngatërruar. Ajo që keni parë në të shkuarën është se shpesh herë një vend apo një tjetër bëhen shkak që të gjithë të ngecin, prandaj Ballkani i Hapur është krijuar jo për të përjashtuar njëri absolutisht, por për të mos u varur nga vetë dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, por për të ecur përpara gjithmonë duke pasur parasysh gjithë procesin e Berlinit… Një nga pengesat për të ecur më shpejt ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin sepse nëse ne fusim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do ishte e garantuar dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten, por rri dhe bënë teori konspiracioni për Open Ballkan. Traseja është e shtruar, procesi i Berlinit është një proces që do të vazhdojë. Open Ballkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë në mes dyjave”, u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare i cili e ka iniciuar edhe “Open Ballkan” tha se brenda këtij procesi nuk ka asgjë kontradiktore me Procesin e Berlinit. Ai madje thotë se ky proces vetëm sa e përshpejton Procesin e Berlinit.

“Open Ballkan është pjellë e procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me procesin e Berlinit, është pjellë e procesit të Berlinit. Open Ballkan është as më shumë dhe as më pak por një mekanizëm për ta përshpejtuar procesin e Berlinit, Nuk ka Open Ballkan asgjë brenda në kontradiktë me procesin e Berlinit, përkundrazi është marrja në dorë e procesit pa pritur që një herë në vit të mblidhen diku të tjerë për ne apo që disa të tjerë ta bëjnë këtë punë për ne dhe rezultate kanë filluar të flasin dhe do flasin gjithnjë e më shumë. Open Ballkan është asgjë më shumë sesa mjeti i rajonit për të implementuar procesin e Berlinit. Kush i vendos këto të dyja kundër njëra-tjetrës apo kush thotë që njëra bie ndesh me tjetrën ose e bënë me qëllim ose nuk e kupton. Dhe gjëja tjetër e rëndësishme që kancelaren sot kemi diskutuara dhe bashkë me kolegët që teoritë e konspiracionit se procesi i Berlinit apo Open Ballkan apo nismat rajonale janë të organizuara nga forcat e treta apo janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer që të krijojmë këtu një mikro-BE, që të mos na fusin kurrë në BE, janë dokrra fare”, u shpreh ai.

Kancelarja gjermane e cila sot po qëndron për vizitë në shtetin shqiptar, takimin me krerët e qeverisë të Ballkanit Perëndimor i ka quajtur si biseda të mira dhe konstruktive. dhe konstruktive.

Merkal tha se me udhëheqësit e qeverive të Ballkanit Perëndimor do të takohen edhe në tetor në Slloveni në kuadër të Samitin për Bashkëpunim Rajonal.

“Në kuadër të drekës me të gjithë kryetarët e qeverive të Ballkanit Perëndimor kam pasur kënaqësi që prej idesë të vitit 2014 për inicimin e një procesi të bashkëpunimit prej tij tanimë ka rezultuar një bashkëpunim mjaftë i fuqishëm shumëçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e këtyre popujve dhe vendeve me njëri-tjetrin dhe që kryetarët e shteteve dhe qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njëri-tjetrin çka më parë nuk ka qenë kështu. Së dyti, i tërë bashkëpunimi nëse është shoqëria civile apo ato shkëmbimet rinore, shkenca, bashkëpunimi në të gjitha këto dimensione, është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme, kemi folur edhe për projekte mjaftë të rëndësishme infrastrukturore në të cilat shikohen tanimë rezultatet e para. Kemi folur për nisjen e punimeve të Autostradës së Paqes, një temë tjetër e rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar dhe rreth të cilës ne folëm ishte që në momentin që këto vende të rajonit bashkohen me BE do të jenë vende të cilat do të vendosen edhe para detyrimeve, pra detyrime që duhet të përmbushen me neutralitetin e klimës, kushte të cilat duhej të ndryshoheshin në rajon sigurisht që këtu ka mundësi bashkëpunimi rajonal”, tha ajo.

Në këtë konferencë për medie kancelarja Angela Merkel ka thënë se marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë janë shumë të mira.

Sipas saj Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë përmbushur të gjitha kushtet e caktuara për t’i nisur negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa ofroi përkrahje në këtë proces.

Merkel tutje u shpreh se pas përfundimit të mandatit të saj nuk ka ndërmend të luajë rol aktiv politik, por do të mbetet mike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa shtoi se do të vazhdojë të japë këshilla nëse dikush ia kërkon.

“Marrëdhëniet me Shqipërinë janë vërtet mjaft të mira dhe mund ta zgjerojmë më tej bashkëpunimin tonë dhe këtë e kemi bërë të qartë në mënyrë të shumëfishtë dhe dëshiroj të uroj dhe përgëzoj Shqipërinë për të gjitha përpjekjet që ka ndërmarrë për të ristrukturuar sistemin e vet të drejtësisë. Sikundër Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, besoj që i kanë përmbushur kushtet e caktuar për t’ nisur negociatat e anëtarësimit. Për fat të keq kjo nuk u realizua dot gjatë Presidencës së Këshillit nga Gjermania për shkak të vetos së Bullgarisë, por ne kemi premtuar gjithashtu se do të jemi pranë këtij procesi pasi në të është investuar vërtet shumë forcë dhe energji”, deklaroi Merkal.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se askush nuk ka bërë më shumë për Ballkanin Perëndimor sesa kancelarja Merkel dhe se askush nuk e ka kuptuar rajonin si ajo.

Ai tha se arritja më e madhe e Procesit të Berlinit është vendosja e një fryme bashkëpunimi për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor.

“Askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se kancelarja gjermane. Me kancelaren është gjithmonë një problem sepse nuk i ka në qejf fjalimet, është shumë e sinqertë edhe një proces, i cili është një fazë disavjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku dhe përtej të gjitha rezultateve konkrete është vendosja e një fryme bashkëpunimi dhe bashkëveprimi… Sot Ballkani Perëndimor është shumë një vend më i mirë se që ishte përpara sesa Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit, patjetër se pavarësisht që do ketë vazhdimësi në politikën gjermane cilido qoftë fituesi Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni”, tha ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se shtetet anëtarë te BE-së duhet të thonë se cilat janë kriteret për t’u bërë pjesë e BE-së. Në momentin që kushtet plotësohen, sipas saj, BE-ja do të duhej ta mbaj fjalën e dhënë.

Në këtë paraqitje mediatike të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe të kryeministrit shqiptar, Edi Rama nuk u lejuan pyetjet e gazetarëve nga Kosova.

Kancelarja Merkel në mëngjesin e sotëm ka arritur në Pallatin e Brigadave ku aty u prit nga kryeministri Rama. Pas takimit vetëm me Ramën në mesditë kancelarja gjermane ka zhvilluar takim me krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, pas kësaj konference për medie, kancelarja gjermane zhvilloi takim kokë më kokë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ndërsa në vazhdim do të zhvillojë edhe takime të tjera me krerët e shteteve të tjera të Ballkanit.

Të ngjashme