Zvicra ka shtrënguar masat për ata që ia mësyjnë vendit për turistët nga Kosova. Siç ka njoftuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë, nga e hëna, për të hyrë në Zvicër kriter i domosdoshëm është vaksinimi anti-COVID.
Qytetarët e pavaksinuar do të lejohen vetëm në situata “ekstremisht të domosdoshme”. Sipas Sekretariatit të Shtetit për Migrim, kjo ka të bëjë vetëm me rastet e vdekjeve, paraqitjet gjyqësore apo vizitat urgjente.
Masa nuk vlen për shtetasit kosovarë që kanë lejeqëndrim të përhershëm në Zvicër.
Masat e njëjta si për turistët nga Kosova vlejnë edhe për turistët nga Maqedonia e Veriut.
Zvicra po shtrëngon masat ndaj shteteve të Ballkanit pasi pas pushimeve të verës spitalet për COVID-19 në këtë shtet u mbushën me kosovarë e qytetarë të tjerë të huaj. Shumica dërrmuese e pacientëve ishin të pavaksinuar.
Pas përfundimit të pushimeve, autoritetet zvicerane apeluan nëpërmjet mjekëve shqiptarë atje te qytetarët që të vaksinohen.
Ndërsa nga 13 shtatori do të hyjnë në fuqi rregullat e reja në Zvicër.
Detyrimi për certifikatë të zgjeruar zbatohet për njerëzit e moshës mbi 16 vjeçare dhe është fillimisht e vlefshme deri më 24 janar 2022.
Certifikata kërkohet për aktivitetet që mbahen në ambiente të brendshme (p.sh. koncerte, teatër, kinema, ngjarje sportive dhe private, siç janë dasmat në vende të arritshme për publikun)./Demokracia.com/
https://www.facebook.com/SwissEmbassyPristina/posts/4622024341149313