Sport
Lushtaku: I dimë dobësitë e Prishtinës, nesër luajmë veç për fitore
Demokracia
11:45 | 10 Shtator 2021

Share:

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë pas një pushimi një javor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.

Padyshim njëra nga ndeshjet kryesore të javës së tretë të Superligës është ajo që zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ku ndeshen Drenica e Prishtina, shkruan Demokraca.com.

Skuadra kuqezi nga Skenderaj e ka nisur mirë kampionatin duke marrë një barazim dhe një fitore në dy ndeshje, derisa Prishtina ka dështuar keq duke marrë vetëm një pikë në dy ndeshje.

Gjithsesi, rivaliteti i këtyre dy skuadrave gjithmonë ka sjellë luftë të fortë në fushë, gjë e cila pritet të ndodhë edhe këtë herë.

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku e vlerëson lartë Prishtinë, por beson se futbollistët e tij do të japin në fushë gjithë potencialin që në fund t’i gëzohen tri pikëve.

“Nesër e presim Prishtinën një kundërshtar i fortë por jo i pakalueshëm”, ka thënë fillimisht tekniku kuqezi, të cilit ky pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtarëve, i ka mundësuar të punojë më shumë me skuadrën dhe ta analizojë më mirë kundërshtarin.

“Kemi punuar shumë për këtë sfidë dhe kam besim të te gjithë futbollistët që do ta japin gjithë potencialin dhe energjinë, të mos kursejnë asgjë për të arkëtuar pikët e plota”, ka vlerësuar Lushtaku për Demokracia.com.

Ai e pranon se nesër do të jetë një jetë një ndeshje bukur e vështirë, por jo e pakalueshme për ta.

“Do të jetë e vështirë kur i dimë cilësitë e Prishtinës. Besoj që i dimë edhe dobësitë e kundërshtarin kështu që pres një lojë të fortë nga dy ekipet dhe në fund të jemi ne ata që do të gëzohemi me tri pikë”, ka përfunduar Lushtaku.

Të kujtojmë se ndeshja Drenica – Prishtina luhet nesër nga ora 16:00. /Demokracia.com

Të ngjashme