Ka mbaruar hetimi në terren. Nga gjetjet në vendin e ngjarjes, Prokuroria Publike njofton se është duke punuar në zbardhjen e shkakut të zjarrit. Burime të Alsat brenda organit të akuzës thonë se ekipi hetues është duke punuar në dy pista: e para ka të bëj me dyshimet nëse zjarri është shkaktuar nga bombolat e oksigjenit të cilat kanë shpërndarë zjarrin në mënyrë zinxhirë dhe e dyta ka të bëj me dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga lidhja jo adekuate e energjisë elektrike, përkatësisht shkaktimi i zjarrit nga një aparat defibrilator.
Për momentin organi i akuzës në domenin e saj të hetimit nuk ka ngritur dyshime për zjarr vënie të qëllimshme nga faktori njeri. Por Prokuroria pretendon që deri në mbylljen e hetimit, çdo version i dalë në opinion mbetet në suaza të spekulimeve. Prokurorët kanë marrë edhe dëshmitë e punonjësve të spitalit modular, ndërsa nga 14 viktimat e nxjerra për një pjesë kërkohet analizë e ADN-së me qëllim identifikimin e tyre.
“Është urdhëruar autopsia dhe identifikimi i 14 personave të vdekur si pasojë e zjarrit. Ndërkohë punohet nëse mund të ketë edhe viktima të tjera. Për disa nga viktimat do të duhet edhe analizë e ADN-së që të vërtetohet identiteti i tyre. Nga informacionet e para, në mesin e viktimave nuk ka personel mjekësor”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Dyshimet ndaj kësaj qendre modalure ishin ngritur që në muajin prill, kur drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi kishte denoncuar parregullsi në procesin e ndërtimit të objektit. Etemi sot ishte i pakapshëm për prononcim, ndërsa Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë pretendon se spitali modular ka plotësuar të gjitha standardet e parapara me ligj.
A e kanë bërë institucionet punën e tyre. Në prill nga kolegu juaj u paraqitën parregullsi në ndërtimin e spitalit modular. A u paraqitën këto parregullsi, a janë sanuar?
“Do t’ia lëmë organeve të hetuesisë ta konstatojnë këtë gjë”, u përgjigj shkurt Florin Besimi, Drejtor i Spitalit të Qytetit në Tetovë.
Zotëri drejtor, na intereson nëse në kohën kur janë denoncuar parregullsitë, a janë sanuar më pas?
“U diskutua sot në mbledhjen e Qeverisë kjo çështje. Vetë drejtori ka dhënë sqarimet e duhura rreth vërejtjeve të tija për spitalin modular në Tetovë. Bëhet fjalë për çështje teknike ashtu edhe për vërejtjet në muajin prill”, deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
Kur flasim për standardet, thuhet se nuk ka pasur sistem për fikjen e zjarrit në spitalin modular?
“Për hir të vërtetës dhe hetimit, t’ia lëmë organeve kompetente ta thonë”, u përgjigj Florin Besimi, Drejtor i Spitalit të Qytetit në Tetovë.
Dyshimet se shkaku i zjarrit mund të ketë ardhur si pasojë e gabimeve teknike gjatë ndërtimit i hedh poshtë edhe kompania “Brako” e cila ka ndërtuar disa spitale modulare në nivel shteti. Sipas tyre, vërejtjet e drejtorit ekonomik ishin për çështje estetike dhe jo përmbajtjesore.
“Vërejtjet teknike që janë denoncuar gjatë vënies në funksion dhe që janë përmendur në disa media kanë qenë kryesisht të natyrës estetike dhe aspak nuk mund të lidhen me tragjedinë”, njoftojnë nga Kompania Brako.
Prokuroria Publike njofton se pas kompletimit të hetimit në terren dhe grumbullimit të të gjitha provave materiale, opinioni do të njoftohet për shkaqet fillestare të zjarrit që shkaktoi tragjedinë e një dite më parë./Alsat/