Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka njoftuar se asnjë anëtarë i KQZ-së nuk mund të punojë në ditën e zgjedhjeve nëse nuk është i vaksinuar apo pa test PCR negativ.
“Një proces të rëndësishëm që jemi duke i kushtuar rëndësi është procesi i identifikimit të gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje sa i përket vaksinimit të trupave zgjedhor. Në raportin e datës 7 shtatorit më shumë se 70% e gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje janë të vaksinuar me dozën e parë, e me dozën e dytë kemi diku rreth 36% të vaksinuar, ndërsa të pa vaksinuar kemi 27% të stafit të angazhuar në zgjedhje, që nënkupton se janë edhe një pjesë e stafit permanent që punojnë në KQZ”, tha Ahmetaj.
Me këtë vendim është pajtuar edhe Ilir Gashi i PDK-së, i cili kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që deri në ditën e zgjedhjeve të kryhet vaksinimi i gjithë trupave zgjedhore.
“Pas datës 13 shtator nuk mund të ketë askush qasje në institucionet publike e private pa qenë i vaksinuar. Ne kemi lista të gjithë vëzhguesve dhe komisionerëve ku mund të komunikojmë me ministrinë e Shëndetësisë që t’u jep përparësi të gjithë trupave zgjedhore të vaksinohen para zgjedhjeve”, tha Gashi.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar partitë politikë që personat që do të punojnë gjatë dhe pas zgjedhjeve të jenë të vaksinuar.