Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja e rastit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku u vranë dy zyrtarët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi para mediave.
Ai ka thënë se janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat që janë përdorur në rast.
Nikçi nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me rastin, duke thënë se hetimet janë në fazën fillestare dhe mund të dëmtohen, raporton Demokracia.com.
“Mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore. Janë marrë të gjitha e nevojshme hetimore. Sot gjatë ditës Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja e rastit kanë dal në vend të ngjarjes dhe janë duke u zhvilluar hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Janë sekuestruar dy armë, dy trupat e pajetë janë dërguar në obduksion. Në këtë çështje duhet të jemi të rezervuar sepse mund t’i dëmtojmë hetimet. Ajo çka mund t’ju konfirmoj është se janë duke u zhvilluar hetime dhe pastaj do të tregojmë se kush është arrestuar”, ka thënë Nikçi. /Demokracia.com/