Lajme
AGK dënon kërcënimin Haki Abazit kundër ‘Albanian Post’
Demokracia
20:25 | 08 Shtator 2021

Share:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  ka dënuar ashpër kërcënimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazit, kundër gazetarëve të Albanian Post.

“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.

Në reagim thuhet se AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit, përcjell Demokracia.com

Reagimi i plotë:

AGK-ja dënon ashpër kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj “Albanian Post”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu.

“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.

Kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë. Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit.

#SafeJournalists /Demokracia.com/

Të ngjashme