Shirat e dendura, përmbytjet dhe tornadot e shkaktuar nga uragani “Ida” kanë marrë të paktën 65 jetë njerëzish në Shtetet e Bashkuara.
Sipas mediave amerikane, uragani ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ka çuar në ndërprerjen e energjisë dhe dëmtimin e rezervave të ujit.
Për shkak të impaktit të tij, disa nga zonat më të prekura të Shteteve të Bashkuara nuk i janë rikthyer ende jetës normale.
Pjesa e mbetur e uraganit “Ida” solli reshje në një nivel të paprecedent ditën e mërkurë, duke shkaktuar përmbytje që mbushën stacionet e metrove, mbuluan makinat dhe depërtuan nëpër shtëpitë e banorëve, shkruan euronews.
Disa zona të New Jersey janë ende duke u rikuperuar nga impakti i uraganit. Më herët, guvernatori Phil Murphy tha se shteti nuk kishte dalë ende nga emergjenca dhe nënvizoi se shqetësimi i tij lidhej me përgjigjen ndaj niveleve të larta të ujit.
Infrastruktura dhe banesa ndërkohë u shkatërruan në zona të ndryshme të Xhersit, me disa banorë që thonë se shtëpitë e tyre janë tërësisht të pabanueshme.
Edhe shteti i New York u godit gjithashtu nga “Ida”, me shirat e dendura që përmbytën në masë qytetin.