Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në në intervistë për gazetën zvicerane “Blick” u ka bërë thirrje kosovarëve që gjenden në këtë shtet që të vaksinohen kundër COVID-19. Dhe sipas saj, Zvicra është pjesërisht fajtore për faktin se shumë qytetarë nuk janë vaksinuar.
“Vaksinimi nuk shpëton vetëm jetë, por na ndihmon në luftën kundër këtij virusi vrasës. E mbron edhe ekonominë. Kjo na duhet ne, për t’u rimëkëmbur shoqëritë tona. I bëjë thirrje bashkëkombasve të mi kosovarë këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë: ‘Ju lutem të gjithë vaksinohuni!’ Është opsioni i vetëm për të kaluar këtë pandemi”, ka thënë Osmani.
Osmani ka reaguar, kur u pyet nëse po ndjehej fajtore, që personat e rikthyer nga Kosova kanë sjellë virusin me vete në Zvicër. Ajo ka thënë se një pjesë të fajit që ata nuk janë vaksinuar është i Zvicrës. Duke shtuar se Kosova nuk është vendi i vetëm që kishte hequr masat këtë verë.
“Ju po flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Janë shtetas të vendit tuaj, ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera të bindin për t’u vaksinuar. Të gjithë këta persona është dashur të vaksinohen në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë. Ne deri në gusht kishim një nivel të ulët të infeksionit, vetëm kur erdhën vizitorët nga Zvicra dhe shtetet tjera u rrit niveli i infeksionit. Ne nuk ishim vendim i vetëm që zbutëm masat, këtë e bënë shumë shtete tjera në rajon dhe në gjithë Evropën. Pasi numri i të infektuarve ishte shumë i ulët dhe kishte nisur të rritej numri i të vaksinuarve. Por në vend se të fajësojmë njëri-tjetrin, tash ka rëndësi vetëm një mesazh: vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, Spitalet zvicerane janë ankuar për numrin e madh të pacientëve. Sipas tyre shtrimet në spitalin e koronës janë shqetësuese. Një pjesë e madhe e pacientëve janë shtetas të dyfishtë të sëmurë rëndë që kanë marrë virusin jashtë vendit, veçanërisht në Kosovë, shkruan kjo gazetë. /Demokracia.com/