Kombëtarja e Kosovës në futboll tashmë ka nisur përgatitjet për tri ndeshjet e shatorit që i zhvillon në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror “Katar 2022”.
Kosova fillimisht me 3 shtator ndeshet me Gjeorgjinë ndërsa në stadiumin “Fadil Vokrri” ballafaqohet me Greqinë me 5 shtator dhe Spanjën me 8 shtator, shkruan Demokracia.com.
Përzgjedhësi Bernard Challandes, tashmë ka zhvilluar stërvitjen me ekipin e parë, i cili edhe këtë herë përbëhet me disa mungesa si ajo e Arbër Zenelit e Edon Zhegrovës për shkak të lëndimeve derisa për shkaqe disiplinore nuk janë ftuar Leart Paqrada e Bernard Berisha.
Por cilat janë gjasat e Dardanëve, të cilët duhet pranuar që në ndeshjet e fundit nuk ka kaluara momente të mira, të marrë rezultate pozitive në këto ndeshje të cilat sigurisht që do të ndikonin në rikthimin e besimit por edhe të atmosferës në skuadër.
Ish-futbollisti i njohur, Arsim Plepolli mendon se me Gjeorgjinë dhe Greqinë, nëse kemi një angazhim të madh mund të marrin pikë të plota, ndërsa me Spanjën edhe një barazim nuk do të ishte keq.
“Janë ndeshje të vështira pasi behët fjalë për Kombëtare të forta, por ne duhet të mendojmë pozitivisht dhe t’u qasemi në mënyrën më të mirë”, ka thënë fillimisht Plepolli për Demokracia.com, duke folur më pas se ku i kemi gjasat më të mëdha për të marrë pikë të plota.
“Me Gjeorgjinë dhe Greqinë duhet të marrim maksimumin, ndërsa me Spanjën edhe një barazim kishte me qenë shumë i mirë”, ka përfunduar Plepolli.
Të kujtojmë se Kosova ka zhvilluar 2 ndeshje në Grupin B aty ku janë edhe Spanja, Suedia, Greqia e Gjeorgjia, derisa në të dyja takimet ka pësuar humbje duke u mposhtur nga Suedia 3:0 dhe Spanja 3:1. /Demokracia.com