Një situatë kaotike ka kapluar skuadrat e Serisë A për arsye të lojtarëve amerikano-jugor. E gjitha kjo situatë vjen sepse janë shtuar me nga një ndeshje më shumë takimet e kualifikuesve të Botërorit “KATAR 2022” si pasojë se nuk mundën dot të zhvilloheshin në pranverë për shkak të COVID-19.
Nga kjo situatë më të goditurit janë Interi dhe Juventusi ku zikaltërit kanë 4 lojtarë të grumbulluar amerikano-jugorë ndërsa ndërsa bardhezinjtë kanë 5 futbollistë të angazhuar me kombëtaret të Amerikës latine.
Një ndeshje më shumë do të vendoste në rrezik të madh lojtarët që kanë udhëtuar drejt shteteve të Amerikës së Jugut për arsye se me shumë mundësi në sfidat e datës 11-12 shtator të javës së tretë të Serisë A nuk do të ishin të gatshëm, me në krye Interin, Juventusin, Fiorentinën, por duke mos harruar dhe Kaljarin, Bolonjën dhe Torinon të cilët do të rrezikonin të humbisnin disa elementë të rëndësishëm në organikat e tyre.
MILAN – Lajmi i mirë për Stefano Piolin është se do të përdorë pauzën e kombëtareve për të krijuar mekanizmat e sulmit, midis qendërsulmuesve dhe sulmuesve anësor i grumbulluar është vetëm Aleksis Salemakers me kombëtaren belge. Ibrahimoviç nuk është i disponueshëm për arsye dëmtimi, Zhiru është jashtë listës së Francës për arsye të zgjedhjeve teknike të Deshampit. Rebiç është dënuar nga kombëtarja kroate pas sulmit verbal kundrejt trajnerit Zlatko Daliç.
Rafael Leao dhe Brahim Diaz janë rritur në mënyrë intensive në respekt nga U-21 e kombëtareve të tyre. Janë 11 lojtarë kuqezi që janë thirrur në kombëtaret e tyre për sfidat e kualifikuesve të qershorit: Menja dhe Teo Hernandez me Francën, ky i fundit merr grumbullimin e parë në kombëtaren transalpine.
Në Francën U-21 ndodhet mbrojtësi Kalulu. Tek Italia kampione e Europës janë thirrur, Florenci dhe Kalabria. Tonali dhe Plicari kanë marrë një ftesë nga “axurrët” U-21. Kjaer rigjen vendin e tij në mbrojtjen daneze, Kruniç në mesfushën boshnjake. Në Afrikë do të udhëtojnë dy lojtarë, Benaser me Algjerinë dhe Ballo-Ture me Senegalin. Ndërsa Fronk Kesi ka refuzuar kërkesën e kombëtares së Bregut të Fildishtë.
INTER – Janë 12 lojtarë zikaltër të grumbulluar në kombëtaret respektive. Bëhet fjalë për Stefan De Vraj dhe Dumfris me Holandën. Skriniar me Slovakinë, Çalhanoglu me Turqinë, Xheko me Bosnjën, Barela, Bastoni, Sensi me Italinë, ndërsa në Amerikën e Jugut kanë udhëtuar Korrea dhe Lautaro me Argjentinën, Vidal me Kilin dhe Vesino me Uruguajin. Sançez nuk ka mundur dot t’i bashkohet kombëtares kiliane për shkak dëmtimi i cili është duke u stërvitur i veçuar së bashku me Galiardinin. Në dispozicion të trajnerit Simone Inzagi në këto ditë do të mbeten, Handanoviç, Radu, Kordaz, Ranokia, D’Ambrozio, Kolarov, Dimarko, Darmian dhe Satriano.
Problemet më të mëdha lidhen me amerikano-jugorët, të cilët do të jenë në fushën e blertë në anën tjetër të globit për takimin e tretë kualifikues në “Katar 2022” natën midis të enjtes 9 shtator dhe të premtes 10 shtator. Nëse Liga e Serisë A do ta caktojë ndeshjen ndaj Sampdorias për të shtunën e datës 11, do të ishte një problem i madh. Sidoqoftë, fakti që debutimi në Ligën e Kampionëve në shtëpi kundër Realit të Madridit është caktuar për të mërkurën e datës 15 shtator ka një optimizëm të madh sepse nëse ndeshja ndaj skuadrës doriane do të luhet të dielën, Inzagi do të ketë një ditë më shumë për lojtarët e tij, shkruan panoramasport.
JUVENTUS – Dibala ka rigjetur sërish kombëtaren e Argjentinës, ku ishte dhe prioriteti i tij në këtë fillim sezoni duke mos harruar që është në pritje të rinovimit të kontratës me Juventusin. Danilo dhe Aleks Sandro i janë përgjigjur pozitivisht kombëtares së Brazilit, Bentakur gjithashtu ka dhënë “OK” e tij përfaqësueses së Uruguajit dhe Kuadrado asaj të Kolumbisë. Italia ka marrë në përbërjen e saj 6 lojtarë të bardhezinjve: Kielini, Bonuçi, Kieza, Bernardeski, Lokateli dhe blerja e fundit, Moize Ken.
Shezni do të mbrojë portën me tek Polonia e tij, De Ligt është pika e referimit tek kombëtarja e Holandës. Konfirmime nga Spanja për Alvaro Moratën, dhe Kulusevski për Suedinë. Ueston Mekeni është midis 26 lojtarëve të grumbulluar nga SHBA-ja për sfidat kualifikuese të Botërorit. Asnjë grumbullim në fakt për Adrien Rabio me Francën dhe Aron Ramsej për arsye dëmtimi.
ROMA – Janë katër lojtarë verdhekuq të grumbulluar nga Roberto Mançini: Xhanluka Mançini, Brajan Kristante, Lorenco Pelegrini dhe Nikolo Zaniolo. Marash Kumbulla do të jetë i impenjuar me Kombëtaren shqiptare për ndeshjet ndaj Polonisë më 2 shtator në transfertë, dhe dy ndeshjet e tjera në “Elbasan Arena” ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe ndaj San Marinos më 8 shtator, të vlefshme për fushatën kualifikuese të Botërorit “KATAR 2022”. Matias Vinja thirret në kombëtaren e Uruguajit nga trajneri Oskar Tabarez.
LACIO – Vetëm dy lojtarë ka grumbulluar përfaqësuesja “axurre” tek ekipi i Mauricio Sarrit: Çiro Imobilen dhe Françesko Açerbi. Pritej të ishin tre lojtarë që do të ishin në urdhrat e Roberto Mançinit, por Maunel Laxari ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të mund të jetë i gatshëm për takimet e shtatorit. Edi Reja për Kombëtaren shqiptare ka thirrur, Thomas Strakoshën dhe Elseid Hysajn, ndërsa Shaland tek Kosova ka grumbulluar Vedat Muriqin.
Mali i Zi do të ketë për ndeshjet e shtatorit, Adam Marusiç dhe Bregu i Fildishtë do të ketë gati Akpa Akpro. Sergej Milinkoviç-Saviç është thirrur nga përfaqësuesja serbe. Ftesë nga kombëtarja kroate merr dhe Basiç. Asnjë lojtar i Amerikës-latine nuk është thirrur në këto tre sfida, një avantazh i madh për Sarrin dhe skuadrën kryeqytetase.
NAPOLI – Nga të kaltërit tek të kaltërit, Mançini ka grumbulluar për tre ndeshjet e Italisë, Insinjen, Meret dhe Di Lorencon. Në total janë 10 lojtarë që Spaleti nuk do të mund dot t’i ketë në dispozicion gjatë pauzës së kombëtareve. Zielinski i cili do të jetë kundërshtar me Kombëtaren shqiptare është grumbulluar me Poloninë. David Ospina do të duhet të kalojë në anën tjetër të Atlantikut për të luajtur me Kolumbinë.
Viktor Ozimhen do të jetë i impenjuar me Nigerinë, Elif Elmas me Maqedoninë e Veriut, Kulibali me Senegalin, Lobotka me Slovakinë dhe në fund Amir Rrahmani i cili do të luajë tre sfidat kualifikuese të Kosovës të Botërorit “KATAR 2022”, më 2 shtator ndaj Gjeorgjisë në transfertë, më 5 shtator kundër Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe sërish në po të njëjtin stadium edhe kundër Spanjës më 8 shtator.
ATALANTA – Në tre thirrje prej grumbullimi të amerikano-jugorëve, vetëm Huan Muso do të mund të jetë i gatshëm me Argjentinën, pasi Luis Muriel ka pësuar një tërheqje muskulore dhe gjithashtu dhe bashkëkombësi i tij Duvan Zapata nuk është në dispozicion për arsye dëmtimi. Xhampiero Gasperini do të privohet për sfidat e kombëtareve në shtator nga turku Demiral, nga ukrainasi Malinovski, rusi Mirançuk, kroati Pasaliç, italianët Toloi dhe Pesina, holandezi De Run.
SKUADRAT E TJERA – Duke qëndruar tek tema e amerikano-jugorëve, të cilët rrezikojnë shumë të humbasin sfidat e javës së tretë të Serisë A, tek Torino të grumbulluar janë Rincon dhe Sanabria. Tek Bolonja janë Medel dhe Dominguez. Godin, Nandez dhe Gaston Periero tek Kaljari. Vaskez tek Xhenoa, Molina tek Udineze, Martinez Kuarta dhe Nikolas Gonzales tek Fiorentina.
LISTA E LOJTARËVE QË RREZIKOJNË SFIDAT E JAVËS SË TRETË TË SERISË A –
INTER – Hoakin Korrea, Lautaro Martinez, Arturo Vidal, Matias Vesino
JUVENTUS – Paulo Dibala, Danilo, Aleks Sandro, Rodrigo Bentakur, Huan Kuadrado
ROMA – Matias Vinja
ATALANTA – Huan Muso
TORINO – Rinkon, Sanabria
BOLONJA – Medel, Dominguez
KALJARI – Godin, Nandez, Pereiro
XHENOA – Vaskez
UDINEZE – Molina
FIORENTINA – Lukas Martinez Kuarta, Gonzales
LISTA E LOJTARËVE TË GRUMBULLUAR NË KOMBËTARE –
MILAN – 11 lojtarë: Menja dhe Teo Hernandez (Francë), Kalulu (Francë U-21), Florenci dhe Kalabria (Italia), Tonali dhe Plicari (Italia U-21), Kjaer (Danimarka), Kruniç (Bosnjë), Benaser (Algjeria), Ballo-Ture (Senegal)
INTER – 12 lojtarë: De Vraj dhe Dumfris (Holanda), Skriniar (Slovakia), Çalhanoglu (Turqia), Xheko (Bosnjë), Barela, Bastoni dhe Sensi (Italia), Korrea dhe Lautaro (Argjentina), Vidal (Kili), Vesino (Uruguaj)
JUVENTUS – 15 lojtarë: Dibala (Argjentina), Danilo dhe Aleks Sandro (Brazil), Bentakur (Uruguaj), Kuadrado (Kolumbia), Kielini, Bonuçi, Kieza, Bernardeski, Lokateli dhe Ken (Italia), De Ligt (Holanda), Morata (Spanja), Kulusevski (Suedia), Mekeni (SHBA)
ROMA – 6 lojtarë: Mançini, Kristante, Pelegrini dhe Zaniolo (Italia), Kumbulla (Shqipëria), Matias Vinja (Uruguaj)
LACIO – 9 lojtarë: Imobile dhe Açerbi (Italia), Strakosha dhe Hysaj (Shqipëria), Muriqi (Kosova), Marusiç (Mali i Zi), Akpa Akpro (Bregu i Fildishtë), Milinkoviç-Saviç (Serbia), Basiç (Kroacia)
NAPOLI – 10 lojtarë: Insinje, Meret dhe Di Lorenco (Italia), Zielinski (Polonia), Ospina (Kolumbia), Ozimhen (Nigeri), Elmas (Maqedonia e Veriut), Kulibali (Senegal), Lobotka (Slovaki), Rrahmani (Kosova)
ATALANTA – 8 lojtarë: Muso (Argjentina), Demiral (Turqia), Malinovski (Ukraina), Mirançuk (Rusia), Pasaliç (Kroacia), Toloi dhe Pesina (Italia), De Run (Holanda)
TORINO – 2 lojtarë: Rinkon (Venezuela), Sanabria (Paraguaj)
BOLONJA – 2 lojtarë: Medel (Kili), Dominguez (Argjentina)
KALJARI – 3 lojtarë: Godin, Nandez dhe Pereiro (Uruguaj)
XHENOA – 1 lojtar: Vaskez (Meksikë)
UDINEZE – 1 lojtar: Molina (Argjentina)
FIORENTINA – 2 lojtarë: Lukas Martinez Kuarta dhe Gonzales (Argjentina)