Lifestyle
Jehona, blogerja që bashkon pasionin për kuzhinën dhe palestrën
Demokracia
19:59 | 10 Shkurt 2021

Share:

Numri i blogerëve – dikush që përmes përmbajtjes në rrjetet sociale, inspiron, edukon apo argëton ndjekësit – në Kosovë është rritur mjaft shumë. Ka blogerë që shkruajnë për kuzhinën, për udhëtimet, për modën dhe grimin, për palestrën e shëndetin. Në këtë shumësi zgjedhjesh, është vështirë të dallohesh.

Një që dallohet nga blogeret e tjera është blogerja Jehona Gjocaj, sepse bën bashkë recetat nga kuzhina me pasionin tjetër të saj, ushtrimet pilates, shkruan Demokracia.com.

Në një bisedë me Demokracia.com, Jehona tregon për sfidat, sukseset dhe kënaqësitë që i ka sjellë roli i saj si blogere.

Demokracia: Si ke filluar të bësh bashkë pasionin për kuzhinën dhe atë për pilates?

Jehona: Pasionin për kuzhinë e kam pasur që nga mosha e re. Mirëpo, më duhet ta pranoj, se madje as unë vet nuk kam qenë e vetëdijshme për këtë. Rizbulimi i këtij pasioni ka ndodhur gjatë periudhës së lehonisë. Atëherë kam filluar të studioj kuzhinat e ndryshme dhe kam filluar të merrem dhe ta kultivoj më seriozisht këtë interes dhe pasion.

Sa i përket pilates – që nga mosha e fëmijërisë jam marr me sporte të ndryshme, siç janë skijimi, noti dhe tenisi. Të gjithë në familje e kanë pasion sportin dhe për këtë arsye e kemi hapur studion për aerobi/pilates që në vitin 1992. Aty i kam marrë njohuritë e para për aerobi. E pastaj me kalimin e kohës jam fokusuar në pilates dhe e kam perfeksionuar këtë teknikë.

Demokracia: A ka ndikuar dikush që ti të fillosh të merresh me kuzhinë?

Jehona: Mami im ka qenë gjithmonë kuzhiniere e mirë. Edhe sot më kujtohen gjellët dhe ëmbëlsirat e mrekullueshme që i përgatiste ajo. Sikur çdo fëmijë, edhe unë kam pasur dëshirë që sa më shumë t’i ngjajë mamit. Me gjasë, kjo ka qenë shtysa dhe frymëzimi i parë qe edhe unë të filloj të merrem me gatime dhe kuzhinë.

Demokracia: Me çka jeni marrë para se të filloni punën si blogere e ushqimit dhe instruktore e pilates?

Jehona: Me profesion jam ekonomiste e diplomuar. Fillimisht, pas shpërnguljes nga Peja në Prishtinë, kam qenë e punësuar pranë një shoqate sigurimesh. Mirëpo, me kalimin e kohës, e kam kuptuar se puna në zyrë nuk është “my cup of tea”. E kam vërejtur se shumë më tepër më tërheqin profesionet qe kanë të bëjnë me ushtrime fizike dhe shëndetin e njeriut.

Duke qenë se me pilates dhe aerobi jam marr gjatë gjithë jetës time, atëherë është e kuptueshme se marrja me to ka qenë zgjedhje e natyrshme, edhe pse me parë i kam konsideruar si profesion dytësor.

Demokracia: Sa është̈ e vështirë̈ të jesh blogere në Kosovë?

Jehona: Nuk e di saktësisht çfarë të përgjigjem në këtë pyetje, por një gjë është e sigurt, e lehtë nuk është.

Marrëdhënia me ndjekësit, korrektësia dhe interaktiviteti me ta duhet të kultivohet në vazhdimësi. Gjithashtu, duhet pasur kujdes në respektimin e obligimeve për postime qoftë në raport me ndjekësit, por edhe me bashkëpunëtorët. Në fillim, punën e blogeres e kam marr si hobi, por tani mund t’u them me përgjegjësi të plotë se ajo është shndërruar në një profesion me orar të plotë pune.  Shumë shpesh edhe e tejkalon 8 orëshin normal të punës.

Pavarësisht të gjithave, lodhjes, ngarkesave, obligimeve e të gjitha problemeve të tjera përcjellëse, më duhet të theksoj se këtë punë e bëj me shumë kënaqësi dhe pasion.

Demokracia: Ku inspirohesh për recetat?

Jehona: Duke u nisur nga fakti se jam nënë dhe grua, fillimisht frymëzimet e para i kam marr nga shijet dhe preferencat e fëmijëve të mi dhe bashkëshortit. Jam munduar gjithmonë që të bëj ndonjë gjellë apo ushqim të cilin ata e preferojnë.

Inspirohem po ashtu edhe nga kërkesat dhe dëshirat e vet ndjekësve.

Më pas, kam filluar të lexoj libra te ndryshëm me receta tradicionale dhe ndërkombëtare, ushqime të shëndetshme, gatime të detit, brumëra, ëmbëlsira, etj. Me një fjalë, fillova të merrem me të gjitha aspektet e gatimit, duke studiuar literaturë dhe libra nga kuzhinierë te njohur botëror. Literatura është mjaft e kushtueshme, por fatmirësisht motra ime gjendet jashtë Kosovës dhe ajo mi siguron të gjitha.

Demokracia: Çka e dallon Jehonën nga blogeret e tjera?

Jehona: Besoj që të gjitha janë të mira në punën e tyre, por mendoj se përkushtimi, dashuria për gatimin e ushtrimet e trupit si dhe origjinaliteti do të duhej të ishin atributet e mia kryesore.

Demokracia: Cila është̈ pjesa më sfiduese e profesionit tënd, e cila pjesë të jep më shumë kënaqësi?

Jehona: Pjesa më sfiduese është shpikja e një recete origjinale, e cila njëkohësisht është edhe kënaqësia më e madhe kur sheh se receta ka dalë e qëlluar, pëlqehet dhe komplimentohet nga ndjekësit.

Demokracia: Sa është̈ e vështirë̈ të merresh me blog edhe pilates në të njëjtën kohë? Dhe cila është̈ pika ndërlidhëse mes këtyre dyjave?

Jehona: Është mjaft e vështirë dhe kërkon shumë kohë, mund, përkushtim dhe dashuri. Pika ndërlidhëse është se të dyja kombinohen shumë mirë me njëra-tjetrën. Ushtrimet pilates ndihmojnë që të ndërtosh një trup të shëndetshëm, ndërsa ushqimi i shëndetshëm të siguron një organizëm të shëndetshëm përmes marrjes së materieve të domosdoshme për ruajtjen e homeostazes dhe metabolizmit adekuat. Që të dyja e plotësojnë njëra-tjetrën dhe përbejnë pjesë të një tërësie me qëllim të sigurimit të kualitetit të jetës, pa dhimbje, pa ankesa dhe me energji të mjaftueshme për kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Demokracia: Cilat janë̈ benefitet e pilates?

Jehona: Përfitimet nga pilates janë me sa vijon:

  • Ndryshe nga çdo stërvitje tjetër, forcon abdomenin. Efekti i tyre depërton në nën-muskuj.
  • Trajnimi i forcës mbështet shëndetin e kockave dhe mund të ndihmojë për të parandaluar osteoporozën, që është një përfitim i madh për gratë që kalojnë nëpër menopauzë. Në mënyrë të veçantë, pilates mund të jetë një ushtrim i përsosur për gratë para-menopausale dhe menopausale.
  • Pёrmirёson posturёn, mbajtjen e trupit, pasi zgjat dhe drejton shtyllёn kurrizore
  • Ndihmon në rritjen e fleksibilitetit, balancimit dhe përmirësimin e forcës muskulore dhe tonifikuese. Ju ndihmon muskujve të jenë të relaksuar.
  • Nëse dëshironi të humbni peshë, formula për humbjen e peshës mbetet e njëjtë: Djeg më shumë kalori se sa merrni. Duke e kombinuar me aerobi, Pilates bëhet një mënyrë për humbje të peshës.
  • Ushtrimet e Pilates pёrmisojnë qarkullimin e gjakut, gjё qё rezulton me mё shumё energji – frymëmarrja ёshtё mё e lehtё, muskujt janё mё të stimuluar dhe trupi ёshtё mё i hapur.
  • Mund të praktikohen nga çdokush, pavarësisht nga gjinia, mosha dhe eksperienca.

Demokracia: A të ndihmon dikush për mirëmbajtjen e blogut?

Jehona: Përgatitjen, shkrimin e recetave dhe fotot i bëj vet. Ndërsa në kthimin e mesazheve të ndjekësve, më ndihmojnë fëmijët.

Demokracia: Si blogere e ushqimit, cili është sekreti që e mban trupin tuaj në formë?

Jehona: Ushtrimet e vazhdueshme, përkujdesja që të konsumoj ushqim të shëndetshëm si dhe dinamika e aktiviteteve të mija të përditshme janë sekreti i mirëmbajtjes së peshës dhe formave trupore.

Jehona në rrjetet sociale Instagram dhe Facebook çdo ditë poston receta gatimesh të reja dhe tregon ushtrime të pilates. /Demokracia.com/

https://www.facebook.com/Me-Jehon%C3%ABn-1868795013393019/photos/2780580155547829

https://www.instagram.com/p/CJ6q59mFEXp/?utm_source=ig_web_copy_link

 

 

 

Të ngjashme