Dukagjini e nisi mirë edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll, pasi mori një pikë më shumë vlerë në përballje me Ballkanin në Suharekë (2:2).
Megjithatë, jo gjithçka mirë shkoi për trajneri Armend Dallku i cili duhet t’í bëjë llogaritë e dy ndeshjeve e radhës pa sulmuesin kryesor Ahmed Januzi, shkruan Demokracia.com.
Januzi u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë në kundërshtarin, dhe pas rishikimit në VAR gjyqtarët morën vendim për ta përjashtuar nga ndeshja.
Komisioni Disiplinor tashmë ka analizuar këtë situatë dhe ka vendosur që Januzi të mungojë në dy ndeshjet e radhës për Dukagjini që i zhvillon me Prishtinën dhe Ulpianën
Vendimi i Komisionit Disiplinor
Futbollisti i KF Dukagjini nga Klina, Ahmed Januzi, me numër të fanellës 27 dhe ID 000635M88, në ndeshjen e javës së parë, ndërmjet Ballkani – Dukagjini, e zhvilluar në Suharekë më 21.08.2021, në minutën 87, pas një ndërhyrje të rrezikshme ndaj lojtarit kundërshtar, gjyqtari e ndëshkon me karton të kuq direkt. Bazuar në nenin 39, paragrafi 3 i Rregullores Disiplinore: Dënohet me ndalesë lojë për 2 (dy), ndeshje zyrtare, sipas radhës, të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.
KËSHILLA JURIDIKE
Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë në ushtrimin e ankesës drejtuar komisionit disiplinor të shkallës së dytë – komisionit për ankesa në afatin kohor prej 3 ( tre ) ditë nga data e sjelljes së këtij vendimi – publikimit të tij në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit. /Demokracia.com