Sport
Liridon Leci i jep fund karrierës së tij në futbollin aktiv
Demokracia
16:58 | 23 Gusht 2021

Share:

Liridon Leci i ka dhënë fund karrierës së pasur dhe të lavdishme. Futbollisti kosovar ka thënë “mjaft” pas më shumë se dy dekadash.

Lëndimi i fundit ia pamundëson atij të vazhdojë ta bëjë atë që di ta bëjë më së miri. 36 vjeçari e pranon se është i mërzitur pasi po ndahet përkohësisht nga profesioni që e rriti si sportist dhe si person.

Ish-përfaqësuesi i Kosovës dhe i Shqipërisë ka vendosur t’i hyjë politikës, ndërsa në të ardhmen atë mund ta shohim në rolin e trajnerit të futbollit.

Liridon Leci ka vendosur të ndalet.

Futbollisti i njohur kosovar i ka dhënë fund karrierës së lavdishme.

Pas më shumë se 25 vjetësh, mbrojtësi karizmatik tha “mjaft”.

36 vjeçari u detyrua ta mbyllë karrierën përfundimisht pas lëndimit të rëndë që e pësoi vitin e kaluar.

Edhe pse u operua, dhimbjet në këmbën e tij ia pamundësojnë atij që të vazhdojë të luajë futboll.

Dhe, derisa s’është bërë vonë, ai e mori vendimin më të vështirë të jetës.

“Para se të më lërë mua futbolli, e lash unë atë. Është një vendim i vështirë, jam i mërzitur pasi kam luajtur për më shumë se dy dekada. Por, dhimbjet në këmbë ma pamundësojnë të vazhdoj”, shprehet Leci, i cili e zbuloi vendimin e tij ekskluzivisht për “Gazetën Express”.

Pasi u nda nga Llapi, atë e kishin vërshuar ofertat, por më nuk ishte në gjendje të luante në nivele të larta, siç jemi mësuar ta shohim gjithmonë.

“Kam pasur oferta nga klubet e Superligës, por emra s’dua të zbuloj. Por, më mirë të largohem tash dhe të më kujtojnë të gjithë për karrierën e pasur dhe formën e mirë. Nuk desha të rrezikoja, shëndeti mbi të gjitha”, shton tutje futbollisti kosovar.

Për shkak të temperamentit të tij, maksimumit që e jepte në çdo ndeshje dhe provokimit ndaj rivalëve, ai ka qenë gjithmonë i dashur nga tifozët dhe zyrtarët e klubeve ku ka luajtur.

E mbi të gjitha, ai e ka veçuar eksperiencën në Dritë si më të mirën, posaçërisht i lavdëroi tifozët “Intelektualët”, të cilët i konsideron si më të veçantit në karrierën e tij të pasur.

Ndër të tjera, ai ka luajtur në klubet si Kosova e Prishtinës, Prishtina, Hajvalia e Llapi në Kosovë, para se të transferohej në Shqipëri, ku kishte luajtur për Elbasanin, Flamurtarin e Vlorës, Besën e Kavajës, Vllazninë e Shkodrës dhe Kastriotin e Krujës.

Leci e pati një eksperiencë disavjeçare edhe në Suedi, ku kishte luajtur për Kalmarin dhe Landskronan.

Leci ka luajtur edhe për ekipin kombëtar të Kosovës. Gjithashtu, ishte pjesë e ekipit U-21 të Kombëtares shqiptare.

Po ashtu, e ka zhvilluar një ndeshje edhe me Kombëtaren A shqiptare.

Leci gjatë karrierës ka luajtur si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i majtë.

Ai zbulon se është duke i ndjekur kurset dhe momentalisht është i pajisur me Licencën C të trajnerit.

Në të ardhmen, atë mund ta shohim përsëri në stadium, por jashtë vijave të fushës.

“Unë nuk mund ta paramendoj veten larg futbollit. Jam duke u shkolluar për trajner. Në të ardhmen e shoh veten duke punuar dhe duke e udhëhequr ndonjë ekip, pse jo në Superligë”, zbulon tutje Leci për “Gazetën Express”.

Të ngjashme