Ditë më parë është mbajt takimi i radhës mes tre liderëve të Ballkanit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.
I njohur si “Mini-Schengeni”, kjo iniciativë atë ditë ndryshoi emrin në “Open Balkan”. Kosova ishte ndër shtetet që nuk pranoi të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti refuzoi të merrte pjesë në takimin e Shkupit, duke e quajtur si iniciativë pa vizion për rajonin.
Ndërsa Ambasada Amerikane në Prishtinë, për Demokracia.com, ka thënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përkrahin me sinqeritet të plotë përpjekjet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor për thellimin dhe fuqizimin e integrimit ekonomik në përputhje me rregulloret dhe standardet e BE-së.
“Integrimi më i fortë politik dhe ekonomik është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet dhe do t’i forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për t’i përmbushur reformat e nevojshme për anëtarësim në BE në të ardhmen. Krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal, i cili garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, është thelbësor për të tërhequr investime. Ballkani Perëndimor është rajon me potencial të madh të pashfrytëzuar ende, i ngërthyer nga vizioni dhe përpjekjet e popullit të vet për t’u bërë rajon lulëzues dhe prosperues, plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Sipas ambasadës Amerikane, integrimi më i fortë ekonomik dhe politik “është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, dhe po ashtu do të forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për të përmbushur reformat e kërkuara për pranimin në BE në të ardhmen”.
“Përfundimisht, Qeveria e Kosovës duhet të vendose se cilës nismë dëshiron t’i bashkohet dhe se cila nismë i përshtatet më së miri vizionit të saj ekonomik. Por ne e nxisim qeverinë të jetë e hapur ndaj përpjekjeve rajonale për integrim ekonomik dhe t’i pranojë zgjidhjet të cilat iu dhurojnë rezultate kosovarëve, duke i përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e vet njëkohësisht”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Demokracia.com.
Ndryshe, zyra për media e Qeverisë së Kosovës ka thënë se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhej në reagimin e Qeverisë.
Vlen të përmendet që tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.
Kujtojmë se ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministrin i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atëbotë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohej në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve./Demokracia.com/