Lajme
Rritja e rasteve pozitive në Kosovë, infektologu i njohur kërkon masa të reja kufizuese
Demokracia
20:00 | 04 Gusht 2021
Foto Ilustrim

Share:

Numri i rasteve të reja pozitive me COVID-19 është rritur së fundmi në Kosovë. Infektologët në vend thonë se rritje të rasteve të infektuara me këtë virus do të ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme, derisa paralajmërojnë fillimin e një vale të re të pandemisë në muajt e ardhshëm. Ndërkaq, sipas infektologut Hamdi Ramadani, kjo mund të parandalohet vetëm nëse vaksinohen qytetarët dhe nëse vendosen masa të reja kufizuese kundër COVID-19.

Infektologu Hamdi Ramadani, për Demokracia.com ka treguar arsyet e rritjes së rasteve, derisa shton se shifrat mund të rriten edhe më shumë.

“Ditët e fundit kemi një rritje relativisht të ndjeshme të rasteve COVID-19, kjo edhe është pritë që ky numër i rasteve të rritet, për faktin që tash e disa javë në Kosovë ka ardhë një numër i madh i mërgimtarëve, nga Gjermania, Franca dhe Italia dhe këto vende janë dominonte me variantin Delta, i cili tashmë veçse është vërtetuar edhe tek ne, dhe është mbizotërues. Ky koncentrim aq i madh në dasma dhe ahengje kanë bërë që ky variant të jetë shumë transmetuese, të përhapet shpejt dhe normalisht të paraqitet edhe infeksioni. Kjo rritje e rasteve ka qene edhe e pritur dhe mundësitë janë që kjo situatë të shkojë edhe më tej në drejtim të rasteve dhe rritjes së infeksioneve. Arsye tjetër është që vaksinimi është shumë i ulët nuk e kalon as 20 për qindëshin e popullsisë së imunizuar plotësisht, edhe për kundër që ditëve të fundit është rritë interesimi i qytetarëve për të bërë vaksinimin, por ky numër është jashtëzakonisht i vogël”, tha Ramadani.

Ramadani shtoi numri i ulët i qytetarëve të vaksinuar, ardhja e mërgimtarëve dhe grumbujt e qytetarëve në ambiente të mbyllura do të bëjnë të mundur përhapjen e variantit Delta.

“Po ashtu mendoj se masat kufizuese janë relaksuar, është bërë hapja e madhe e restoranteve, kafeneve dhe mjeteve të udhëtimit. Prandaj ka qenë normale dhe e pritshme, sikurse edhe në të gjitha vendet e Evropës, që të jetë kjo rritje e rasteve të infektimit me COVID-19. Varianti Delta për fat të keq është shumë transmetues, po shkakton shumë infeksione dhe komplikime, dhe nëse vazhdohet me këtë situatë dhe me këto kushte të cilat i kemi, situata tek ne nuk do të jetë e mirë dhe mundë të përkeqësohet, dhe mund të kemi edhe më shumë rritje të rasteve, veçanërisht nëse flasim për muajin shtator apo tetor, kur rëndon edhe klima dhe kur bëhet numër shumë i madh i rasteve të koncentruar në vendet e ndryshme. Kur e kemi këtë rritje të infeksioneve edhe mundësia e komplikimeve dhe pasojave me fatalitet mund të jetë e pranishme. Por mendoj që këto dy ditë në formë urgjente, besoj që instituti (IKSHPK) me ministrinë e Shëndetësisë do të dalin me masa kufizuese, në kuptimin e zvogëlimit, sidomos restoranteve dhe kafeneve, sepse është numër enorm i qytetarëve nëpër këto vende, dhe të gjitha këto e favorizojnë transmetimin e virusit COVID-19, pasi që edhe maskat në ambientet e mbyllura nuk po përdoren dhe distanca nuk është duke u respektuar fare, dhe janë të gjitha këto elemente të cilat nuk mund të luftojnë COVID-19 nëse nuk rikthehen masat anti-pandemike, sikurse ishin më herët”, tha ai për Demokracia.com.

Ramadani thekson se rreth 90 për qind të rasteve të infektimit me COVID, janë të lidhura me variantin Delta të këtij virusi.

“Instituti (IKSHPK), ka njoftuar se 93 për qind e mostrave të cilat janë hulumtuar ka dal që janë të infektuar me variantin Delta dhe kjo është shumë dominonte, dhe kjo do të dominojë deri sa qytetarët nuk do të vaksinohen, dhe muajt e ardhshëm do të mund të shfaqet edhe ndonjë varant tjetër i virusit”, tha Ramadani.

Në Kosovë, deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se dhjetë persona të vaksinuar plotësisht janë infektuar me COVID, por kanë shtuar se gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

Ndërsa Ramadani, thotë se nëse vaksinimi e ka arritur efektin e vetë, atëherë nuk duhet të dyshohet në imunitetin e vaksinës.

“Vaksinimi i bërë me dy doza në kohën kur vaksina e ka efektin postvaksinim, dhe ky efekt është pas dy javëve, dhe mendoj që pas kësaj kohe nuk ka asnjë dilemë që mund të paraqitet sëmundja dhe mendoj që në atë rast që është shfaqur virusi pas vaksinimit, duhet të jetë i izoluar dhe duhet të shihet se si ka ndodhur kur është bërë vaksinimi sa ditë ka kaluar pas vaksinimit. Pasi që vaksinat tregojnë kohën e saktë se sa kohë iu nevojitet dozës së vaksinës, që te arrijë të i vaksinuari atë që quhet imuniteti i rritur ose të nevojshëm. Ai rast që është infektuar pas vaksinimit, ndoshta pasi një ditë apo dy që është vaksinuar ka ra në kontakt me virusin dhe në këtë mënyrë e ka fituar sëmundjen”, tha Ramadani për Demokracia.com.

Demokracia.com ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë nëse po e shqyrtojnë mundësinë e kthimit të disa masave kundër pandemisë COVID-19, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kujtojmë se të mërkurën Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se nga 3 mijë e 160 testime, 221 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Ndërsa MSH ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, është shënuar një rast i vdekjes.

Gjatë kësaj përudhe janë shëruar 21 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105 mijë e 688. Numri i rasteve aktive në Kosovë është 888.

Në Kosovë, më 29 qershor, autoritetet shëndetësore njoftuan se kanë regjistruar dy raste me variantin Delta. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të dy pacientët tashmë janë shëruar.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të sëmundjes COVID-19. Aty bëjnë pjesë edhe varianti Alfa (i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe), Beta ( i identifikuar fillimisht në Afrikë të Jugut) dhe Gama (i identifikuar fillimisht në Brazil)./Demokracia.com/

Të ngjashme