Lajme
Hezitimi i mësimdhënësve për t’u imunizuar: A duhet të ketë kushtëzime për vaksinim?
Demokracia
21:00 | 03 Gusht 2021

Share:

Vaksinimi i mësimdhënësve është një prej çështjeve më të diskutuara ditëve të fundit. Përderisa Kosova ka mbi 23 mijë mësimdhënës, deri më tani vetëm afro 8 mijë janë vaksinuar kundër COVID-19.

Nuk kanë mbetur as një muaj nga fillimi i vitit shkollor. Nga Ministria e Arsimit e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për Demokracia.com thonë se presin që deri në shtator, mësimdhënësit të vaksinohen me dy doza të vaksinës anti-COVID.

‘’Ka vaksina të mjaftueshme të cilat janë të aprovuara dhe të sigurta andaj presim që deri në fillim të vitit të ri shkollor 2021-2022 mësimdhënësit të jenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19’’, tha MASHTI në një përgjigje për Demokracia.com.

Ndërkaq, gjatë së martës ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një takim me Kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, tha se duhet të apelohet tek mësimdhënësit që të vaksinohen.

Lidhur me këtë takim, për Demokracia.com ka folur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari.

Ai tha se ka rritje të numrit të mësimdhënësve të vaksinuar kundër COVID-19, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Numri fillestar prej 7 mijë e 200 është rritur tanimë edhe pse ky numër nuk është i mjaftueshëm, dhe arsyeja besoj janë pushimet, përndryshe besoj që nuk ka arsye të hezitojnë për vaksinim’’, tha Jashari për Demokracia.com

Jashari tha se duhet të ndodhë vaksinimi sa më parë, duke ditur edhe përhapjen e shpejtë të variantit DELTA.

‘’Mësimdhënësit duhet ta dinë se duhet ta fillojnë mbarë vitin shkollor, në institucione dhe të jem të mbrojtur nga varianti DELTA, i cili po shihet se po përhapet shumë, dhe ne duhet ta vaksinohemi në mënyrë që mos të konsiderohemi fajtor nëse përkeqësohet situata pandemike’’, tha Jashari.

Jashari për Demokracia.com ka thënë se edhe nëse të ardhmen do të bëhet kushtëzim vaksinimi, nuk duhet të vlejë vetëm për mësimdhënësit.

‘’Në takimin e sotëm me ministren Nagavci i kemi përmendur edhe vendet ku ka kushtëzim të vaksinimit. Qeveria e Kosovës mund të sjell një vendim për kushtëzime, dhe jemi dakorduar edhe me Nagavcin që kushtëzimi të jetë edhe për sektorët e tjerë si ata shëndetësor, policinë etj. në mënyrë që askush të mos ndjehet i cënuar’’, përfundoi Jashari për Demokracia.com.

Se vaksinimi duhet të jetë i kushtëzuar e thotë edhe Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti për Demokracia.com.

‘’Vaksinimi duhet të kushtëzohet nga ana e qeverisë së Kosovës për gjithë shërbyesit publik dhe në veçanti për mësimdhënësit që deri në shtator të vaksinohen’’, tha Reshiti.

Sipas Reshitit, mësimdhënësit duhet të vaksinohen duke ditur edhe kërkesën e tyre të hershëm për imunizim.

‘’Thirrja për vaksinim duhet t’iu përkujtoj obligimin që kanë për tu vaksinuar sepse ka qenë kërkesë e hershme e tyre që mësimdhënësit të jenë kategori e privilegjuar për tu vaksinuar’’, tha Reshiti.

Reshiti shton se mësimi duhet të fillojë në formën e zakonshme nga muaji shtator.

“Mësimi në shtator duhet të filloj dhe nuk duhet të ketë mësim online pse ka mësimdhënës të infektuar dhe nëse do të ketë një veprim të tillë ne si Këshilli i Prindërve do të reagojmë kundër MASHT-it dhe qeverisë që nuk kushtëzojnë vaksinimin’’, tha Reshiti për Demokracia.com.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja për Demokracia.com tha se mësimi në shtator duhet të fillojë me prezencë fizike.

‘’Mësimi duhet të filloj me prezencë fizike me orar të plotë. Vaksinimi i mësimdhënësve është përgjegjësi e padiskutueshme, dhe hezitimi i pabazë për vaksinim nuk guxon të jetë pengesë për mësimdhënie normale’’, tha Qehaja.

Sipas Qehajës, përveç se të nis mësimi i rregullt, duhet të bëhet edhe një rikuperim i vitit paraprak të mësimit.

‘’Rikthimi në çfarëdo forme të mësimit jashtë mësimit të rregullt është i papranueshëm dhe jashtëzakonisht i dëmshëm për mësimdhënie. Viti i ri shkollor duhet që përveç organizmit të rregullt të rikuperoj për periudhën e vitit paraprak’’, tha Qehaja për Demokracia.com

Qehaja thotë se refuzimi i mësimdhënësve për vaksinim nuk ka kuptim moral, e as profesional.

“Mësimdhënësit duhet të kuptojnë që vaksinimi i tyre është i lidhur drejtpërdrejtë me shëndetin e tyre pikë së pari, dhe shëndetin e të tjerëve po ashtu, dhe në veçanti me vazhdimin e procesit mësimor – refuzimi për vaksinim nuk ka kuptim as moral as profesional’’, përfundoi Qehaja.

Kujtojmë se ditëve të fundit ka një numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 në vend.

Vetëm brenda 24 orëve nga 3 mijë e 667 teste të kryera, 110 prej tyre rezultuan pozitive me COVID-19./Demokracia.com/

Të ngjashme