Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në seancën e Kuvendit ka folur rreth raportimeve për emërimin e motrës së tij, Suliote Aliu në Odën e Farmacistëve të Kosovës.
Ai ka thënë se motra e tij ishte edhe më parë e punësuar në spital dhe përgatitja që ajo ka, sipas Aliut, është e rrallë në Kosovë.
“Ajo nuk është e punësuar tash, ka qenë në spital në barnatoren e Internos. Po, pra, përveç asaj, është specialiste e farmacisë klinike, numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël, nën dhjetë, dhe rrjedhimisht, mendoj që gjasat që ajo ka mund të jetë pjesë e atij Komisioni, kanë mundur të jenë shumë të mëdha”, ka deklaruar ai.
Tutje ministri Aliu ka thënë se nuk e dinë si është ftuar, dhe për këtë duhet sqaruar OFK-ja.
“Ka qenë aktive edhe më herët, ka bërë udhëzime administrative për t’i ndaluar hajnitë e ndryshme. Ky s’ka qenë punësim, është ftuar, e ka marrë atë detyrë. Ju falënderoj shumë që i keni nxit temat nga dita e djeshme, sepse dje fillova mu ni keq që kjo pjesa këndej më mbeti, e dhe pse në përgjegjësinë për atë që ka ndodhë, nuk e di ku peshon më tepër, po besoj që njëjtë”, ka thënë ai. /Demokracia.com/