Organizata ETEA dhe Drejtoritë e Arsimit në Prishtinë, Gjakovë, Istog dhe Rahovec nënshkruan sot memorandume bashkëpunimi për implementimin e projektit “Kidpreneurship – Think. Design. Create”.
Projekti mundëson përfshirjen e komponentit të sipërmarrjes sociale në institucionet edukativo-arsimore dhe futjen e nxënësve në një proces të kërkimit dhe konceptimit të ideve, zhvillimin e prirjeve krijuese nga ideja deri te produkti final dhe pajisjen e nxënësve me aftësi praktike në profesionet e së ardhmes.
Gjashtë shkolla përfituese të këtij projekti do të krijojnë brenda shkollave hapësira të veçanta e të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për punën e nxënësve. Shkollat do të pajisen me nga dy printerë 3D, me nga dy kompjuterë me të gjitha pajisjet përcjellëse.
Drejtori i organizatës ETEA Agon Ahmeti tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është integrimi i ndërmarrësisë sociale brenda institucioneve edukativo-arsimore
“E para është integrimi i ndërmarrësisë sociale brenda institucioneve edukativo-arsimore, po edhe të tërë procesit të prodhimit të dickaje, diçka praktike ku vet nxënësit involvohen në aktivitete me mbështetjen e mësimdhënësve të teknologjisë informative të cilët do të trajnohen javëve në vijim për të qenë të gjithë të gatshëm nga 1 shtatori i këtij viti. I gjithë procesi që nga ideja, konceptimi, disejnimi i produkteve dhe prodhimi i tyre që do ta këna për bazë printerin 3D që sot e kemi këtu dhe më pas shitja e atyre produkteve të cilat i prodhojnë vet nxënësit…Komponentë e dytë, po kaq me rëndësi nëse jo edhe më shumë është kooperimi i komuniteteve mes vete, komuniteteve pakicë që janë rom, ashkali dhe egjiptian me komunitetin shumicë që janë shqiptarët”, tha ai.
Florian Piraj do të jetë trajner në fushën e 3D printimit, e për të cilin përdorimi i teknologjisë nëpër shkollat e vendit është jetik.
“Përdorimi i teknologjisë në shkollat tona është jetik duke marrë parasysh përvojën si trajner në fushën e edukimit dhe teknologjisë informative me arsimtarë dhe nxënës të shkollave në Kosovë. Unë kam parë që është një nevojë e theksuar e mësimit të njohurive në fushën e teknologjisë nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve. Besoj që do t’i arrijmë rezultatet maksimale në këtë iniciativë shumë të mirë”, u shpreh Piraj.
Në komunën e Prishtinës, përfituese është vetëm një shkollë, e që drejtoresha e Arsimit Shpresa Shala, tha se projekte të tilla nxisin nxënësit që të bëhen ndërmarrës të ardhshëm.
“Të nxisim nxënësit të bëhen ndërmarrës të ardhshëm, gjithashtu të përdorin teknologjinë informative të cilën tashmë veç pandemia na e ka mundësuar që edhe mësimdhënësit të kenë njohuri më shumë ndoshta të mësojnë jo me dëshirë po nga nevoja e madhe e cila ka qenë këtë vit pandemik. Po besoj që projekti do të shkojë mirë dhe Komuna e Prishtinës do ta përdor këtë projekt për ta zgjeruar edhe në shkollat e tjera”, tha Shala.
Ndërsa, në komunën e Istogut projekti do të zhvillohet në dy shkolla, që për drejtorin e arsimit të kësaj komune, Hajrush Shoshi, një projekt i tillë do të ndikojë edhe në kreativitetin e nxënësve.
“Do të ndikojë shumë edhe në mësim-nxënie dhe në kreativitetin e tyre për të ardhmen për ndërmarrësi”, tha ai.
Projekti “Kidpreneurship – Think. Design. Create.” mbështetet nga Këshillit danez për Refugjatë (DRC) dhe financohet nga Sida – Agjencioni Suedez për Bashkëpunim në Zhvillim Ndërkombëtar e përfaqësuar nga Ambasada suedeze në Kosovë (Sida).