Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjatë debatit parlamentar për 100 ditë qeverisë Kurti II, ka numëruar me radhë të gjitha premtimet elektorale të kryeministrit Albin Kurtit.
Tahiri tha se është hera e parë që nga paslufta që opozita duhet ta ftojë qeverinë në debat për 100 ditëshin, kjo pasi siç tha Tahiri, vet kryeministri nuk ka pasë guxim e material çka të prezantojë në Kuvendin e Kosovës, për punën 100 ditëshe, raporton Demokracia.com.
“Albin Kurti kishte thënë në fushatë se do të ndërtojë 160 çerdhe. Në 1460 ditë mandat të plotë, i bie 1 çerdhe për çdo 9 ditë. Në këto 100 ditë, është dashur të nisin 11 prej tyre, por as gur themel s’kemi pa për një të vetme. As plan, as dizajn, as buxhet. Kishte premtuar 150 euro për fëmijë në familjet me më pak se 5 mijë euro të hyra vjetore. Asnjë cent në këto 100 ditë. Kishte premtuar ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë e me shumë kontrata të punës. Jo veç që s’janë shtua kontratat, por kanë mbete 60 mijë të papunë nga pandemia, e asnjë masë s’është ndërmarrë për ta. Ka thënë se do të zbatojë programin e shtesave për fëmijët, me 20 euro në muaj, e për ata më të rritur 10 euro në muaj. Në këto 100 ditë, asnjë cent as për njërën kategori, as për tjetrën. Për nënat e papuna, ka thënë se do të paguajnë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë. Në 6 muajt e fundit, 4200 lindje, përkatësisht aq nëna lehona, pjesa më e madhe e tyre të papunë. Asnjë cent në 100 ditë. Imagjinoni procedurën, prej caktimit të pronës, dizajni, procedurat e tenderimit, e deri tek ndërtimi merr goxha kohë. Në këto 100 ditë, as një hap”, tha Tahiri, duke theksuar po ashtu premtimin e pa mbajtur për ndërtimin e banesave të banimit që e kishte premtuar Kurti gjatë fushatës. Programi për banim 120×120 dhe 150×150. 4 mijë banesa për 4 mijë familje që paguajnë këste 120 euro dhe 150 euro në muaj. Kjo i bie që deri në fund të mandatit, afër 3 banesa në ditë të blihen nga familjarët sipas këtij plani. Në 100 ditë, asnjë. As ide se si me u realizua ky plan. Kjo është formula. Jo kompetenca. Jo dija. Por Daja. Kjo është fotografia e qeverisjes tënde për 100 ditë, për ta përmbyllur se fundmi me diçka që po na turpëron edhe më tej, ku edhe agjencitë e pavarura të gazetarëve në Evropë e botë, po të bëjnë thirrje që të mos i sulmosh mediat e lira. Pra, jo vetëm që është përkeqësuar qeverisja, por është rrezikuar edhe vetë demokracia jonë. Natyrisht, edhe kryeministri i ka rritë standardet. Prej një banese 60 metra, ka dalë në një shtëpi 400 metra. Ama veç punë s’kemi pa. Me këto 100 ditë, fatkeqësisht na ke dëshmuar se këto katër vite, do jenë regres për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasojat e të cilit do t’i vuajmë të gjithë”, tha Tahiri.
Në kuvend është duke u mbajtur debat parlamentar për 100 ditëshin e qeverisë Kurti II./Demokracia.com/