Lajme
‘Open Balkan’, analistët: Kosova nuk duhet të jetë shtet refuzues, por argumentues
Demokracia
19:00 | 30 Korrik 2021

Share:

Gjatë ditës së djeshme u mbajt takimi mes tre liderëve të Ballkanit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.

Nga ky takim u ndryshua edhe emri i iniciativës nga ‘Mini-Shengen’ në ‘Open Balkan’. Ky takimi, siç u tha, u hapi rrugën edhe shumë bashkëpunimeve të thella ekomomike mes tre vendeve anëtare.

Kosova është ndër shtetet që nuk pranoi të jetë pjesë e kësaj iniciative dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti refuzoi të merrte pjesë në takimin e Shkupit duke e quajtur si iniciativë pa vizion për rajonin.

Zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Mini-Shengen’, tashmë janë të njohura” dhe se propozim i Kosovës ishte avancimi i bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA sipas modelit të EFTA-EEA që sipas tyre kjo do të ishte përfituese për të gjitha vendet e BP-së.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘Mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Për mungesën e Kosovës në këtë iniciativë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu për Demokracia.com deklaroi se vendi nuk duhet të jetë i mbyllur.

‘’Kosova nuk duhet të jetë e mbyllur, duhet të jetë argumentuese për një trajtim të barabartë sepse në këtë rast problemi është mosnjohja nga Serbia prandaj ajo çfarë duhet të kërkojmë është të trajtohemi të barabartë’’, tha Gërxhaliu për Demokracia.com.

Gërxhaliu thotë se pjesëmarrja në këto iniciativa duhet të jetë prioritet për vendin, dhe se në vend që të jetë refuzuese duhet të jetë argumentuese për të qenë e barabartë si partner.

‘’Kosova nuk duhet të gjenerojë politik refuzuese por vetëm argumentuese. Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse në shumë iniciativa mirëpo duhet të përdor politika argumentuese në mënyrë që të vë në pah pabarazinë mes vendeve sepse bashkëpunime të cila mund të ketë vetëm mes shteteve të barabarta politikisht dhe të pranuara dhe jo të diskriminuara politikisht dhe nga kjo si mund të përfitosh ekonomikisht. Prandaj nuk duhet të jemi shtet refuzues por të kërkojmë barazi dhe të jemi partneri si Kosovë në këto iniciativa’’, përfundoi Gërxhaliu.

Ndërsa, Jeta Krasniqi nga KDI për Demokracia.com tha se mungesa e vullnetit politik për t’i zgjidhur problemet mes vete nuk mund të anashkalohet me nisma ekonomike.

‘’Kosova është pjesë e shumë nismave rajonale të cilat synojnë në bashkëpunimin rajonal përfshirë procesin e Berlinit. Mungesa e vullnetit politik për të zgjidhur çështjen e hapura nuk mund të pretendohet të anashkalohet me nisma ekonomike ku Kosova përfaqësohet me asteriks’’, tha Krasniqi.

Edhe Krasniqi thotë se Kosova duhet të trajtohet si shtet i barabartë për të qenë pjesë e këtyre iniciativave.

‘’Kosova është shtet i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit dhe si e tillë duhet të trajtohet. Nuk duhet harruar që Kosova s’është i vetmi shtet i rajonit që s’ është pjesë e kësaj nisme’’, përfundoi Krasniqi.

Ndërsa, sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq në mediat serbe tha se nuk kishte asnjë argument serioz kundër kësaj iniciative, duke i reaguar kështu Kurtit për qëndrimin e tij ndaj ‘Ballkanit të hapur’’.

“Kishte shumë reagime pozitive dhe shumë negative, por përveç politikës së pakuptimtë të burgosjes dhe ksenofobisë, unë nuk kam dëgjuar asnjë argument serioz kundër kësaj”, tha ai për mediat serbe.

Gjatë ditës së sotme në një konferencë të përbashkët me homologun e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla tha se kjo iniciativë është e rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të ‘Mini-Shengenit’, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla.

Reagim pati edhe sot nga i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i cili në rrjetet e tij sociale shtoi se pavarësisht pse projekti mund të prezantohet si ekonomik, ai është politik, dhe se përfitimet ekonomike janë të parëndësishme përballë atij që e ka quajtur, mohim politik serb.

“Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Shengen’ e as si ‘Open Balkan’. Njohja para bashkëpunimit pa kufij”, ka thënë ndër tjera Abdixhiku.

E pothuajse të njëjtin reagim e pati edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një deklarim për RTSH-në duke vënë në pah pabarazinë mes vendeve dhe mosnjohjes së Kosovës nga Serbia.

“Kosova e ka të pamundur që të bëhet pjesë e një nisme të tillë për shkak të mosnjohjes nga Serbia. Njohja e ndërsjellë do të krijonte mundësi që edhe Kosova t’i bashkohet kësaj nisme, por edhe tërë bashkëpunimit rajonal, dhe në interes të kësaj nisme do të ishte njohja, dhe unë mendoj që në këto takime duhet të diskutohet edhe nga kryeministri Rama edhe kryeministri Zaev sepse është çështje edhe e rajonit kjo”, tha Haradinaj.

Kujtojmë se ideja e ”mini-Shengenit” Ballkanik, fillimisht është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./Demokracia.com/

Të ngjashme