Lajme
LDK zyrtarizon kandidatin për kryetar të Mitrovicës
Demokracia
22:42 | 28 Korrik 2021

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës  ka zyrtarizuar Armend Agollin si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Kjo u bë e ditur nga kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook.

Abdixhiku ka publikuar një pjesë të biografisë së tij:

Dr. Armend Agolli, do të jetë kandidati ynë për Mitrovicë! Një ndër neurokirurgët më me nam të Kosovës, doktori ynë i luftës, doktori ynë i paqes, do t’i prijë garës sonë në ‘Qytetin e Minatorëve’.

I lindur në Mitrovicë, pjesë e një familje të respektuar e patriotike, bashkëshort i Fatmires, baba i Diellzës e Dionisit, Armendi ka kaluar një jetë të tërë në shërbim të vendit. Doktori i Koshares kishte shërbyer me dinjitet e përkushtim në orët tona më të vështira. Ishte kujdestar i trimave e trimëreshave tona.

Pas luftës, në liri, pasi kreu shërbimin për atdhe, i ishte kthyer specializimit të tij në Suedi, ku bëri emër ndërkombëtarisht. Atje, në Suedi, ju besuan detyra udhëheqëse si pak të tjerëve në Evropë. Këtë arritje gjithmonë e kishte ndarë me vendin e tij, me Kosovë, duke u bërë një ndër doktorët më të kërkuar në vend.

Armendi flet pesë gjuhë; përveç shërbimit në Suedi e Kosovë ka shërbyer edhe në Turqi e Shqipëri.

Në Kosovë e Mitrovicë, të gjithë e njohin si një njeri jo vetëm profesionist, por dhe të dashur e me përplot respekt; një udhëheqës modern në secili angazhim të tij. Është koha që përvojën e madhe të tij ta kthejmë në shërbim të qytetarëve në Mitrovicë; qyteti që ka nevojë për transformim rrënjësisht.

Sot Dega e LDK-së në Mitrovicë ka dërguar si propozim emrin e tij. Me kënaqësi shumë e pranoj dhe do t’ia propozojë Kryesisë sonë për aprovim. Jam jashtëzakonisht i lumtur që profile të tilla – emra me nam botërorë / na bashkohen e bashkëudhëtojnë në rrugëtimin e madh për kthimin e LDK-së.

Armend, të priftë e mbara mik!

Të ngjashme
Lajme • 16 Maj 2025