Lajme
Edhe në Arabinë Saudite, flamuri i Kosovës në gjysmështizë
Demokracia
13:44 | 26 Korrik 2021

Share:

Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lul Mjeku ka njoftuar se flamuri i Kosovës është vendosur në gjysmështizë në nder të personave që humbën  jetën në aksidentin me autobus në Kroaci.

Mjeku në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në mendime dhe lutje jemi me të lënduarit, duke u dëshiruar shërim të shpejtë dhe me ata të cilët nuk ia arritën të mbërrijnë në shtëpi, përcjell Demokracia.com.

“Flamuri i Kosovës vendosur në gjysmë shtizë sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Rijad, Mbretëria e Arabisë Saudite.  Në mendime dhe lutje jemi me të lënduarit, duke u dëshiruar shërim të shpejtë dhe me ata të cilët nuk ia arritën të mbërrijnë në shtëpi. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve!”, ka shkruar Mjeku.

https://www.facebook.com/LulzimMjekuamb/posts/370644011069670

Kujtojmë se në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur këtë të hëne ditë zie.

Aksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës.

Të dielën rrugën për në Kroaci mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij.

Ai vizitoi të lënduarit të cilët po trajtoheshin në spitalin në Slavonski Brod.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hënë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e që njëri nga ta është në gjendje më stabile.

E dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin në Kroaci u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbrëmjen e së dielës./Demokracia.com/

Të ngjashme