Lajme
Gjenero: Shtetet e Bashkuara po përgatisin një mesazh kritik për rajonin
Demokracia
19:36 | 26 Korrik 2021

Share:

Projekti i “Serbisë së Madhe” ende është i gjallë, ndërsa ata që dëshirojnë të destabilizojnë Ballkanin mundohen të shkaktojnë tensione rreth kufijve, shprehet analisti kroat, Davor Gjenero, në intervistën për “Pobjeda” të Malit të Zi. Sipas tij, Bashkimi Evropian i ka kuptuar gabimet që i ka bërë në Serbi dhe në Mal të Zi, por nuk mund të pritet se do të veprojë deri sa Administrata e Biden të hyjë në Ballkan me tërë forcën. Ndërsa, me Administratën e re amerikane, gjërat kanë ndryshuar dhe mesazhet janë të qarta, transmeton Demokracia.com

Politika e “Botës Serbe” e Aleksandër Vuçiq është e njëjtë me politikën “Bota Ruse” të Presidentit të Rusisë, Vladimit Putin, dhe është formë e re e konceptit të “Serbisë së Madhe”, konsideron analisti kroat Davor Gjenero në një intervistë për Pobjeda.

Analisti i njohur për analizat e tij për rajonin, u shpreh se edhe pse Bashkimi Evropian ishte i heshtur deri tani, “me ndryshimin e administratës në Amerikë, gjërat kanë ndryshuar thellësisht”.

Sipas Gjeneros, Bashkimi Evropian nuk është duke heshtur më rreth karakterit autoritar të politikës së brendshme të administratës së Vuçiqit dhe po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm se, para së gjithash, 12 vjet më parë, bëri një gabim serioz kur lejoi të rrëzohej Boris Tadiq dhe u përcaktua për „post-radikalët“; dhe se gjithashtu “ka gabuar kur në zgjedhjet e fundit parlamentare (në Mal të Zi) mbështeti “koalicion me tre kolona” të formuar nga pasuesit e Vuçiç dhe agjentët rusë, mbështetësit e klerikëve të Risto Radoviç (Artemije) dhe Velimiroviç dhe një grup të kontrolluar nga disa oligarkë malazezë”.

Gjenero konstaton se është e qartë se është bërë dëm i madh, por nuk ka asnjë skenar për të „kthyer gjërat prapa”, pasi Bashkimi Evropian ende nuk ka guxim të vendosë përfundimisht Vuçiqin dhe regjimin atje ku e ka vendin, nga frika nga kërcënimet e zbrazëta se në këtë rast ai do të kthehet kah Rusia dhe Kina, dhe kundër Bashkimit Evropian dhe Euro-Atlantizmit dhe shton se “ndoshta do të presim për reagimin racional të Bashkimit Evropian deri atëherë kur Amerika e Biden të hyjë në Ballkan me të gjitha forcat”.

Analisti kroat shprehet se “Biden që në fillim i tha Putinit: ti më njeh – unë të njoh” dhe shton se edhe nëse “udhëheqësit” e Ballkanit nuk janë aq të rëndësishëm sa t’u adresohet drejpërdrejt Presideni i Shteteve të Bashkuara, megjithatë Amerika tashmë ka dhënë mesazh të qartë me atë se kë e ka emëruar ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe duke i dërguar mesazhe Milorad Dodikut se e di shumë mirë se me kë ka punë”.

Duket se një mesazh i tillë diplomatik po përgatitet edhe për Malin e Zi ndërsa në Beograd tashmë po „dridhen“ për shkak të kësaj, thotë Gjenero dhe shton se kur kjo të bëhet, do të vijë koha që edhe Vuçiqit t’i thuhet se e njohin kush është dhe se gjithçka që ka vlejtur për „shefat“ e tij në vitet 1990 vlen edhe për atë sot, pra edhe për konceptin e tij të „Galaktikës Serbe“ apo si do që të quhet „Serbia e Madhe” sot.

Duke komentuar deklaratat e Kryeministrit të Malit të Ziu, Zdravko Krivokapiq, se do të formohet një komision për të negociuar me Kroacinë një zgjidhje për gadishullin Prevlakë, Gjenero u shpreh se në Kroaci nuk e kanë marrë seriozisht.

Në Kroaci po sillen sikur nuk kanë dëgjuar përpjekjen për të provokuar të Kryeministrit Zdravko Krivokapiq, thotë Gjenero dhe shpjegon se “askush në Kroaci nuk beson se Krivokapic do të jetë ndonjëherë në gjendje të negociojë për çfarëdo, sepse mandati i tij politik praktikisht ka mbaruar, ai ka mbetur pa mbështetjen parlamentare dhe nuk ka asnjë mundësi që të formohet një qeveri e re pro-ruse përmes ri-rreshtimit parlamentar ose zgjedhjeve, e që do të ishte nën kontrollin e Kishës Ortodokse Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit”.

“Në Zagreb është e qartë se ata që përpiqeshin të krijonin kaos në Ballkan ishin të interesuar të krijonin tensione në kufirin midis Kroacisë dhe Malit të Zi”, shpjegon Gjenero.

Në çështjen e kufijve, Gjenero komenton edhe deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do t’i kthehet Marrëveshjes së demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe shton se “Kryeministri Albin Kurti po bën shumë gabime, prandaj po humbet simpatinë ndërkombëtare”.

“Një nga gabimet është se vë në dyshim marrëveshjet ndërkombëtare të caktimit të kufijve. Ishte shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian që Mali i Zi të zgjidhte çështjen e caktimit të kufijve me të gjithë fqinjët e vet. Presidenti Hashim Thaçi e kuptoi rëndësinë e marrëveshjes, si dhe ish-udhëheqja malazeze, dhe në këtë rast është detyrim i partnerëve euro-atlantikë të Malit të Zi dhe Kosovës që t’i “shpjegojnë” rëndësinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve kufitare për perspektivën evropiane të një shteti”, përfundon Gjenero.

Të ngjashme