Java që po lëmë pas është karakterizuar me ngjarje të ndryshme në vend, rajon e botë nga të gjitha fushat. Demokracia.com në përmbledhjen javore ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të këtyre shtatë ditëve.
Të hënën në Bruksel është zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paraprakisht, delegacionet e të dyja vendeve së pari u takuan me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Ndërsa shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
https://demokracia.com/nis-takimi-kurti-vuciq-ne-bruksel/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur i indinjuar.
Ai e quajti takim të keq dialogun në Bruksel, ndërsa tregoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiq.
https://demokracia.com/vuciq-pas-takimit-kurti-eshte-kthyer-ne-shekullin-e-19-te/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takim me kryeministrin serb, Aleksnadar Vuçiq, iu refuzua propozimi për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se çështje e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiqin, i cili tha se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.
“Unë propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.
https://demokracia.com/kurti-vuciqi-refuzoi-propozimin-tim-per-nje-marreveshje/
Besimtarët myslimanë të marten kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit. Në vendin tonë kjo festë nisi me faljen e sabahut dhe të namazit të Bajramit në praninë e besimtarëve në të gjitha xhamitë e vendit, ndërsa manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Mesazhi i kësaj feste këtë vit u përqendrua të rëndësia e familjes duke kundërshtuar, siç u tha, nismat moderne që godasin familjen e shëndoshë. Këto qëndrime u tha se janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Zotit dhe kundër natyrshmërisë së njeriut.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, që dha mesazhin e festës fillimisht u ndal të rëndësia e festë së Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët, festë kjo që vjen pas kryerjes së haxhit.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prej javësh është jofunksional për shkak të dorëheqjes së disa prej anëtarëve të emëruar nga Ministria e Arsimit. Derisa nga kjo e fundit deklarojnë se emërimi i anëtarëve të rinj do të bëhet shumë shpejt, njohës të fushës së arsimit kërkojnë që në këto pozita të emërohen njerëz profesionistë e me integritet.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thuhet se dy anëtarë të Këshillit Drejtues kanë dhënë dorëheqje, por nuk kanë treguar arsyet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Zëvendësimi i të njëjtëve, sipas përgjigjes së MASHTI-t, do të bëhet shumë shpejt, ani pse nuk jepet një datë se kur do të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj në organin kryesor qeverisës të UP-së.
Një shtetas i Kosovës ka humbur jetën në përmbytjet në Gjermani, konfirmoi Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë.
“Bazuar në të dhënat zyrtare, deri më tani ka humbur jetën një person me shtetësi kosovare, si dhe një person tjetër që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës, përderisa viktima mban shtetësinë gjermane”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
Gjermania, javën e kaluar, është përfshirë nga përmbytje masive.
Me 62 vota për, asnjë kundër dhe pa asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar të mërkurën bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Në votimin në të cilin morën pjesë vetëm deputetët e pozitës u shkarkuan: kryesuesi i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Arsim Berisha dhe anëtarët Gëzim Qerimi, Shkumbin Hyseni dhe Elmi Ahmeti.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, si dhe ish-pjesëtarë tjerë të kësaj ushtrie janë duke vazhduar të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, e ku pas rreth tetë muajsh ata kanë filluar të takojnë familjarët e tyre në qendrat e paraburgimit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë filluar lejimin e vizitave nga data 15 korrik, ku i pari që ka takuar familjarët e tij ishte Jakup Krasniqi.
Michael Doyle, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur se vizitat kanë filluar të lejohen pas fushatës së suksesshme të vaksinimit.
Gjithashtu, Doyle bëri të ditur se vizitat me anëtarët tjerë të familjes do të rinisin në gusht-shtator.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të enjtën ka thënë se ka marrë vendim që të pezullojë marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.
Durmishi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se “janë gjetur dokumente kontradiktore me njëra-tjetrën” lidhur me këtë vendim, përcjell Demokracia.com.
“Vendimin përfundimtar do ta marrim pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministries”, ka shkruar tutje ai.
https://demokracia.com/dorezohet-qeveria-e-kosoves-pezullon-marreveshjen-per-tiketen-5-euroshe/
Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare IPA 2020 mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
89 deputetë kanë votuar pro ratifikimit të kësaj marrëveshja, ndërsa nuk ka pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Katër deputetë të Listës Serbe kanë qenë të pranishëm në sallë, por nuk votuar për këtë marrëveshje.
Ndërkohë seanca po vazhdon edhe më tutje ku janë duke u diskutuar gjithsej 13 pika të rendit të ditës.
https://demokracia.com/kuvendi-ratifikon-marreveshjen-financiare-ipa-2020-me-be-ne/
Përderisa në vitin e kaluar pati subvencionim të dyfishtë për fermerët, gjatë këtij viti ende nuk ka filluar subvencionimi dhe dhënia e granteve të përvitshme për fermerët. Ndërkohë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Demokracia.com tha se janë në procedurë të zhvillimit të sistemit të ri për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve.
Gjithë kjo, sipas MBPZHR-së do të arrihet që të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie të plotë për fermerët e vendit.
‘’Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është në procedurë të zhvillimit të sistemit të ri për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve, ku përveç rritjes së efikasitetit dhe rritjes së sigurisë në pranim dhe shqyrtimin e aplikimeve, përmes këtij sistemi do të arrihet të sigurohet edhe transparenca dhe llogaridhënia e plotë në raport me fermerët’’, thuhet në përgjigjen e MBPZH-së për Demokracia.com.
Në fund të vitit 2019 u krijua projekti i Mini-Schengenit ballkanik midis tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por ky emër, sipas burimeve të Demokracia.com, do të ndryshojë në “Iniciativa për katër liritë e lëvizjes”.
Ky projekt parasheh katër liritë e Bashkimit Europian, atë të lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve që edhe përfaqëson emrin e ri.
Jashtë këtij projekti mbetet akoma Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Kosova, gjë që ka nxitë edhe shumë polemika dhe acarim marrëdhëniesh mes vendeve fqinje.
https://demokracia.com/ekskluzive-rama-zaev-dhe-vuciq-i-ndryshojne-emrin-mini-schengenit/
Xhudoja i ka siguruar Kosovës edhe një medalje të artë Olimpike.
Të shtunën, Distria Krasniqi që ka e ka ngritur në piedestal Kosovën në Tokio aty ku janë mbledhur ajka e sportistëve të botës, por ja që Kosova është mbi të gjithë.
Krasniqi që garon deri 48 kilogramë në finale e ka mposhtur xhudisten japoneze Funa Tonaki.
https://demokracia.com/kosova-mbi-te-gjithe-kosova-e-arte-ne-tokio-2020-distria-shkelqen/
10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku të dielën në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga duke shkaktuar aksident.
Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.
Aksidentohet autobusi nga Kosova në Kroaci, dyshohet për 10 të vdekur