Lajme
Tragjedia në Kroaci: Identifikohen katër viktima nga Gjakova
Demokracia
22:14 | 25 Korrik 2021

Share:

Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci. Pesë nga personat e vdekur janë identifikuar dhe janë nga Gjakova.

Kryetari i kësaj komune Ardian Gjini ka thënë se Gjakova është goditur rëndë nga ky aksident.

“Gjakova e ka pësuar keq. Është tepër e rëndë të mendojnë se si ndihen familjet e viktimave. Janë pesë viktima nga Gjakova. Pos bashkë vozitësit që është konfirmuar më herët se ka ndërruar jetë në këtë tragjedi, kemi edhe katër viktima tjera. Kemi një nënë dhe një vajzë nga fshati Devë, dhe një tjetër grua nga fshati Lipovec”, ka thënë Gjini në RTV Dukagjini.

Ai thotë se janë të gatshëm të ndihmojnë të gjitha familjet e viktimave në këto momente të vështira.

Gjini thotë se ka pasur takime edhe me zyrtarët e qeverisë, të cilët thotë se kanë ardhur me emrat e viktimave me ç’rast edhe janë njoftuar familjarët.

“Tani kemi disa të panjohura pasi disa nga viktimat janë qytetare të Gjakovës por me prejardhje nga komunat tjera. Do të shohim se si do të kryhen procedurat e varrimit për ata që tashmë kanë ndërruar jetë fatkeqësisht”, deklaroi ndër të tjera Ardian Gjini.

Të ngjashme