Gjatë studimit tim 5-vjeçar “Rich Habits” kam njohur 233 milionerë, me një pasuri neto mesatare 4.3 milionë dollarë dhe kam mësuar të njoh historinë e tyre në fillim, sistemet e tyre të vlerave, rrugëtimin e karrierës dhe mënyrën e afrimit drejt parasë.
Dhe duke parë suksesin e tyre, u befasova se zakonet e tyre janë të zbatueshme për shumë njerëz që duan të krijojnë pasurinë e tyre.
Ja disa rezultate interesante që mësova nga kërkimi im.
1. Milionerët kanë nevojë për kohë
Kam zbuluar se milionerët ndaheshin në katër kategori, kur bëhet fjalë për qasjen e tyre ndaj parasë: kursimtar-investitor; themelues të kompanive të mëdha; virtuozë dhe sipërmarrës. Më shumë se tre e katërta, 80% e pjesëmarrësve në studim ishin 50 vjeç ose më shumë dhe e kanë krijuar pasurinë gjatë kohës. Kursimtarëve-investitorëve u janë dashur mesatarisht 32 vite për t’u bërë milionerë; për themeluesit e kompanive të mëdha, 22 vjet; për virtuozët 21 vjet dhe për sipërmarrësit, 12 vjet.
2. Milionerëve u pëlqen ajo që bëjnë
Pjesa më e madhe e milionerëve, 86%, deklaroi se u pëlqente ajo që bënin për të jetuar. Rreth 6 nga 10 thanë se kanë ndjekur atë që e cilësuan si një ëndërr apo një pasion për punën e tyre. Vlera mesatare neto e sipërmarrësve që e kanë shndërruar atë pasion në një ide biznesi të suksesshme është 7.4 milionë dollarë.
3. Milionerët mësojnë vazhdimisht
Në përgjithësi, pjesa më e madhe e milionerëve shprehën synimin për të mos reshtur së mësuari, për t’u rritur dhe për t’u përmirësuar. Thuajse 9 nga 10, ose 88%, thanë se lexojnë çdo ditë për të rritur e për të thelluar njohuritë në punën dhe sektorin e tyre. Më shumë se tre të katërtat, 85%, thanë se lexonin minimumi dy libra në muaj, 63% thanë se u pëlqen të dëgjojnë libra audio apo podcast, ndërkohë që shkojnë në punë, bëjnë ushtrime apo punë në shtëpi.
4 . Milionerët i japin përparësi shëndetit
Shumë prej milionerëve shprehën interesin për aktivitetet sportive. Më shumë se gjysma, 63%, deklaroi se kishin bërë aktivitete sportive dhe se vazhdojnë të praktikojnë sport në kompeticione për të rritur. Më shumë se tre të katërtat, 76%, deklaruan se bëjnë ushtrime fizike të paktën 30 minuta në ditë, katër ditë në javë. Jogging dhe xhirot me biçikletë ishin të përhapura ndër gjithë pjesëmarrësit në studim. 93% deklaroi se fle të paktën 7 orë gjatë natës.