Në përvjetorin e inaugurimit të tij si President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tani i ndodhur në Hagë, Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka publikuar një deklaratë të fuqishme për rolin e heronjve në shoqërinë kosovare.
Në fjalimin e tij të mbajtur më 8 prill 2016, Thaçi kishte përmendur se heronj janë të gjithë ata që kontribuojnë për Kosovën, pa dallim statusi apo profesioni. Nga punëtorët që sakrifikojnë për të edukuar fëmijët, tek mësuesit, bujqit, mjekët, ushtarët dhe policët, ai ka vlerësuar se çdo individ është një hero për vendin.
Presidenti i Kosovës kishte theksuar gjithashtu se Kosova është një atdhe për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë edhe minoritetet dhe ata që kanë kontribuar për lirinë dhe paqen. Ai kishte përmendur se qytetarët e Kosovës janë heronj që kujtojnë dhe falin, duke e bërë vendin një komb të bashkuar dhe të qëndrueshëm për të gjithë.
“Jam President i Heronjve, që të pamundurën e bënë të mundur. Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën. Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime. Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik. Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri. Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun. I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik. Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare. Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës. Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës. Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj. Hero është bujku që prodhon bukën tonë. Hero është mjeku që shëron. Hero është minatori. Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën. Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore. Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla, të cilat i ndërtuam me mundin tonë. Sot, hero është prokurori i mirë e gjyqtari i drejtë. Hero është polici që ruan rendin ditë e natë dhe ushtari që garanton lirinë dhe paqen. Qytetari i Kosovës është hero. Ai kujton, por falë. Ai nuk harron, por nuk hakmerret. Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet. Heronj janë qytetarët e Republikës sonë”, thuhej në një pjesë nga fjalimi i Hashim Thaçit në ceremoninë e inaugurimit si President i Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/