Lajme
9 muaj pas sulmit terrorist, BE në pritje të “raportit final”
Demokracia
20:32 | 25 Qershor 2024

Share:

Një raport 48 faqësh që detajonte sulmin e grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojiçiq në Banjskë të Zveçanit shtatorin e kaluar, nuk i ka mjaftuar Brukselit zyrtar.

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare ndaras e kishin pranuar dokumentin që përfshinte përgatitjet, planin e deri te ekzekutimi i aksionit që u krye më 24 shtator.

Por, i njëjti nuk i kishte mbushur syrin BE-së, që është në pritje të asaj që i referohet si ‘Raport i plotë hetimi’ nga autoritetet kosovare.

Kjo është thënë nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa është pyetur sërish për mundësinë e sanksionimit të Serbisë për rastin, kur janë bërë mbi 9 muaj nga sulmi terrorist.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, ka deklaruar Stano.

Në lidhje me deklaratat e Stanos, qeveria e Kosovës në një përgjigje për Dukagjinin, kanë rikujtuar se i kishin dërguar BE-së raportin 48 faqësh.

Por, përderisa mbetet e paqartë se kujt i referohet me ‘raport’ Brukseli, edhe qeveria kanë aluduar në punën e Prokurorisë Speciale, konkretisht, pritjet që të ketë një aktakuzë për këtë rast.

“Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion. Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023.”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Televizioni, në lidhje me këtë temë ka kërkuar të dijë nga Prokuroria Speciale nëse atyre u është kërkuar një raport i veçantë për rastin, dhe pritjet se kur mund të konkretizohet hetimi me një aktakuzë, por në asnjërën nga pyetjet nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion.

Përveç Prokurorisë Speciale, ishte bërë e ditur se për Banjskën, kishte edhe një hetim ndërkombëtar dhe një raport të dalë nga ai.

Më vonë, deputetja britanike Alicia Kearns, kishte bërë të ditur se ishin SHBA-të që kanë bërë një punë të tillë, por raporti dhe gjetjet, nuk ka dalë në publik deri tani.

Të ngjashme