Lajme
87-vjeçarja angleze vdiq duke kursyer | A ndikon rritja e faturave të rrymës psikologjikisht edhe në Kosovë?
Demokracia
14:16 | 05 Prill 2023

Share:

“Tepër shtrenjtë”, “shumë janë rritë çmimet”, “edhe rryma a?” – këto janë veç disa nga fjalët që kosovarët po i përdorin me të madhe kohëve të fundit e të cilat detyrimisht e shprehin trishtimin ndaj rritjes enorme të çmimeve të produkteve themelore e gjërave të tjera.

E kjo rritje e çmimeve mund të ndikojë edhe në aspketin psikologjik të qytetarëve, qysh duket se ka ndikuar edhe te një 87-vjeçare në Angli.

Ditë më parë, gazeta e famshme angleze, “The Guardian”, raportoi se një grua 87-vjeçare britanike, e cila vazhdimisht kishte refuzuar që ta lëshonte sistemin e ngrohjes për shkak të frikës nga fatura e lartë e energjisë, vdiq nga hipotermia (mërdhirje) e thellë, pasi u gjet e rrëzuar në shtëpinë e saj, thuhet në një hetim.

Ajo ishte kokëfortë dhe i kishte shpërfillur lutjet e anëtarëve të familjes që ta lëshonte ngrohjen në shtëpinë e saj, çka çoi në vdekjen e saj.

Tash çmimet e rrymës janë ngritur edhe në Kosovë dhe pasojat deri në vdekje ndoshta edhe nuk mund të ndodhin, mirëpo frika për fatura të larta është e pashmangshme.

“Dëmtohet aspekti psikologjik”

Për atë se si ndikon rritja e çmimeve e si duhet të trajtohet në aspektin psikologjik, ne kemi biseduar me psikologen klinike, Lule Alidema.

Psikologia Alidema ka shpejguar për Nacionalen se ngritja e çmimeve e dëmton aspektin psikologjik të qytetarëve.

Nëse nevojat elementare nuk përmbushen për shkak të rritjes së çmimeve, atëherë kjo çon në shqetësime psikologjike.
“Njeriu i ka nevojë ushqimin, veshmbathjen, ngrohjen, shëtitjen etj, e që brenda këtyre rrethanave, me po këto ngritje të çmimeve, e ka vështirë t’i realizojë dhe ta realizojë veten për jetesë të kënaqshme. Me ç’rast, atëherë kur njeriu nuk është i përmbushur, i realizuar së paku mesatarisht nga nevojat bazike, atëherë ai do të ndeshet me shqetësime psikologjike të tilla si: frustrim, demotivim, pakënaqësi, ankth, depresion, konflikte të brendshme (me veten), konflikte të jashtme (familjarë e rrethin social) etj. Gjendjet e tilla konfuze, kur njeriu mbetet pa zgjidhje, përderisa mund ta prekin edhe anën psikike të njeriut, mund të mbesin edhe pasoja të përhershme” – ka thënë Alidema për Nacionalen.

“Çrregullimet psikologjike, përveçqë janë të rënda të përjetohen, ato e kanë edhe anën tjetër, se marrin kohë për trajtim, vazhdojnë gjatë në njeriun dhe me raste vështirë ose fare nuk trajtohen. Andaj ruajtja e balancit psikik te njeriu është shumë e rëndësishme, si për vetë njeriun, po ashtu edhe për familjen dhe shoqërinë. Pasojat veçse dihen, dmth. prishet cilësia e jetës, familjes dhe rrethit ku jeton” – ka shpejguar ajo.

Por si duhet të mbrohemi? Psikologia Alidema i jep këto këshilla.

“Andaj, për ta ruajtur shëndetin psikologjik, qytetari duhet të jetë shumë vigjilent dhe i kujdesshëm, të pranojë me qetësi çdo ndryshim që ndodh në vend. Është aftësi dhe sukses që njeriu i vendit brenda këtyre rrethanave të arrijë të mbesë i padëmtuar nga aspekti psikologjik. Nëse nuk ka mundësi t’i ndryshojë rrethanat, atëherë duhet gjithsesi të fillojë ta ndryshojë stilin e jetës dhe të përpiqet të bëjë zgjidhje brenda mundësive të mundshme që ai i ka. Dmth të mundohet të bëjë selektim për gjërat që janë më me prioritet si ushqimi, ngrohja e më pas, nëse arrihet, t’i plotësojë edhe nevojat e tjera” – këshillon ajo.

Për të mos harruar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) i ka mirtatuar tarifat e reja. Tarifa u rritën për 15,4 për qind. Rritja do të vlejë deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Të ngjashme