Lajme
850 mijë euro për asfaltim, Komuna e Leposaviqit anashkalon garën përmes një procedure të dyshimtë
Demokracia
14:21 | 09 Maj 2025

Share:

Komuna e Leposaviqit, e udhëhequr nga kryetari Lulzim Hetemi, ka realizuar dy kontrata për asfaltim në një vlerë totale prej rreth 850 mijë eurosh, duke përdorur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, një praktikë që është e lejuar nga Ligji për Prokurimin Publik vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe për punët shtesë, gjë që nuk vlen për këtë rast konkret, shkruan Demokracia.com.

Njëra nga kontratat, me titull “Asfaltimi i rrugës Bistricë – Koshutovë”, është lidhur në vlerë prej 709,510.40 euro. Negociatat janë zhvilluar me tre operatorë dhe kontrata është fituar nga Granit SH.P.K.

Kontrata tjetër, me titull “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat rr. Vojska Jugosllavia”, është lidhur në vlerë prej 146,567.40 euro, pas negociatave me katër operatorë ekonomikë. Fitues është shpallur Grupi i Operatorëve Ekonomik: PLUS TRADE L.L.C.; N.T.SH. AR-DRITI; Company Murseli SH.P.K.

Dhënia e këtyre dy tenderëve është publikuar sot më 9 Maj në E-prokurim, kur institucionet publike janë në pushim.

Ligji për Prokurimin Publik (LPP) është i qartë kur përcakton rregullat dhe kufizimet për përdorimin e procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë. Sipas nenit 35, paragrafi 2.4 të LPP-së, përdorimi i kësaj procedure është i mundur vetëm për punë shtesë që nuk kalojnë më shumë se 10% të vlerës së kontratës fillestare dhe vetëm brenda dy (2) viteve nga nënshkrimi i kontratës origjinale. Kjo procedurë mund të përdoret gjithashtu në rastet e emergjencave ekstreme, sipas nenit 35.2.1.iii, por jo për kontrata të reja dhe për vlera të konsiderueshme.

Në rastin e kontratës për asfaltimin e rrugës Bistricë – Koshutovë, nuk mund të ketë asnjë arsye ligjore që të justifikojë përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim.

Ligji gjithashtu përcakton se procedurat e negociuara pa publikim mund të përdoren vetëm në rastet e emergjencave që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues, dhe që nuk janë të planifikuara ose të parashikuara më herët. Përdorimi i kësaj procedure në këtë rast nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse nuk ka asnjë situatë emergjente që justifikon këtë veprim.

Procedura e negociuar pa publikim e shkel konkurrencën, cenon transparencën dhe hap mundësi për favorizime të mundshme të operatorëve të caktuar ekonomikë. Sipas nenit 2 të LPP-së, çdo procedurë prokurimi duhet të sigurojë një konkurrencë të drejtë dhe të barabartë, dhe përputhshmëri me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Duke anashkaluar këtë procedurë, Komuna e Leposaviqit ka cenuar këto parime dhe ka krijuar mundësi që operatorët e caktuar të përfitojnë në mënyrë të padrejtë.

Për më tepër, neni 34.1 i LPP-së kërkon që autoritetet kontraktuese të sigurojnë përfshirje të plotë të të gjitha palëve të interesuara dhe të sigurojnë që procesi i prokurimit të jetë i hapur, i qartë dhe i ndershëm. Duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim, Komuna e Leposaviqit ka shkelur këto parime themelore të Ligjit për Prokurimin Publik, duke mos ofruar mundësi për pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë. /Demokracia.com/

Të ngjashme