Autoritetet ukrainase kanë përditësuar numrin e të vdekurve nga sulmet me raketa ruse në qytetin lindor të Slovianskut, me kreun e administratës ushtarake të rajonit të Donetsk që tha se tetë persona u vranë dhe 21 u plagosën.
Të paktën shtatë lokacione u goditën nga raketat tokë-ajër S-300, të cilat Rusia i ka përdorur shpesh për të goditur objektivat tokësore, tha Pavlo Kyrylenko për televizionin kombëtar ukrainas.
“Është konfirmuar se shtatë raketa S-300 janë lëshuar në ndërtesat me shumë apartamente”, tha ai.
“Një djalë i vogël u nxor nga rrënojat para syve të mi, ndërsa ai ishte ende gjallë”, tha Kyrylenko, raporton CNN.
Raketat goditën zona të banuara dhe “ndërtesa të zakonshme civile”, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Njerëzit janë nën rrënoja. Gjithçka është bërë për t’i shpëtuar ata, gjithçka është bërë për të shpëtuar të plagosurit,” tha Zelensky në fjalimin e tij të natës.
Presidenti tha në Telegramin e tij zyrtar se sulmi është vetëm një shembull tjetër i brutalitetit të Rusisë gjatë pushtimit të saj.
“Shteti i keq tregon edhe një herë thelbin e tij. Thjesht duke vrarë njerëz në mes të ditës. Duke shkatërruar, shkatërruar gjithë jetën,” shkroi Zelensky.