Policia e Kosovës ka dalë me raport për vrasjen e rëndë që u krye në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, ku u vra një 63-vjeçare. I dyshuar për vrasje është bashkëshorti i saj, 70-vjeçari Izet Godeni.
Sipas raportit të Policisë, vrasja dyshohet se është kryer rreth orës 02:00, derisa i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, rreth orës 04:40,.
“VRASJE E RËNDË- Rr. Mark Isaku, Prishtinë 25.11.2022 – 02:00-04:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore dhe një ekipet e mjekësisë ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga stafi përgjegjës i mjekësisë ligjore është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, 63-vjeçarja ishte arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet.
Detaje për rastin – dyshohet se gruaja u vra me sëpatë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë më pas me njoftim se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Prokuroria njofton se rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pajetë.
Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhej në njoftim.
Fqinjët e viktimës: E pabesueshme ngjarja
Fqinjët e viktimës e konsideronin të pabesueshme këtë ngjarje. Familjen ku ndodhi rasti e përshkruajnë si familje shumë të mirë dhe se asnjëherë nuk kanë dëgjuar se kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje mes tyre.
Për Sabrie Kataroshin, fqinje e afërt me familjen, ngjarja që tronditi Kosovën mëngjesin e sotëm, ende nuk po i besohet që ka ndodhur.
Ajo thotë se ka dëgjuar në mëngjes kur janë përplasur dyert nga Policia, por thekson se si fqinjët kanë qenë të qetë.
“Nuk po mundem me besu, shumë njerëz të mirë si burri si gruaja! Jam habit që ka ndodhur. As nuk po ha e as nuk po pi. Jam tmerruar! E ka mbyt po thonë. Kurrë nuk kisha besu… E kam dëgju derën, policia sigurisht kanë ardhur, atëherë dera mbyll ka qenë dhe menjëherë dyert e korridorit janë përplasur që kurrë nuk i kam dëgjuar duke u përplasur. Atëherë ndoshta kufomën e kanë marrë”, tha ajo.
Kataroshi po ashtu thotë se tashmë e ndjera S.G., por edhe bashkëshorti i saj kanë qenë shumë fqinjë të mirë.
Ajo tregon se çifti kanë një djalë dhe një vajzë.
“Shumë njerëz të mirë… Njerëz më të mirë nuk ka pasur… Çikë e djalë i kanë, djalin e kanë jashtë diku”, theksoi ajo.
Deklaratat nga shkolla “Dardania”, ku e ndjera punonte
Drejtori i shkollës fillore “Dardania”, Isak Bregaj, thotë se lajmin për vrasjen e koleges së saj e kanë marrë përmes mediave dhe e kanë konfirmuar pastaj nga Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Begaj është shprehur se arsimtarja tani më e ndjerë të premten nuk ishte e pranishme në dy orët e para gjë që nuk kishte ndodhur më herët.
“Zakonisht arsimtarja në fjalë ka qenë një punëtore e zellshme në këtë shkollë. Lajmin për të e kam marrë në orën 10:00 sot në mëngjes, në orët e para ka pas mësim, u vonua që nuk ka ndodh asnjëherë me u vonuar e mos me më njoftuar që nuk mund të vijë në shkollë”.
“Përmes mediave kemi marrë vesh se ka vdekur një punëtore mësimdhënëse, kemi kontaktua SHSKUK-në dhe kemi marrë informacione se ka vdekur arsimtarja në fjalë…Si sot nuk kemi pas gjendje të tillë të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit kanë qenë në gjendje të rëndë”, tha ai për kp.
Drejtori i shkollës “Dardania”, thotë se arsimtarja S.G asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë ankesë.
“Nuk është ankuar asnjëherë. Kemi pasur komunikim edhe me mësimdhënësit ku zakonisht e ka një shoqëri më të ngushtë. Kemi biseduar me ta, por asnjëherë nuk është ankuar se ka pasur presion prej këtij apo atij”, tha ai.
Bregaj arsimtaren e gjeografisë e përshkroi si shumë punëtore, të qetë dhe aspak agresive.
“Ka qenë shumë e mirë, një punëtore e zellshme, mund t’i shihni edhe punimet me nxënësit, ka qenë shumë e afërt me nxënës, pothuajse qe 30 vite punon në këtë shkollë, ka qenë bashkëpunëtore shumë e mirë edhe nëpër orë ka qenë e mrekullueshme, e mirë me kolegë dhe të gjithë. Ka qenë shumë e qetë për nga natyra, nuk ka qenë asnjëherë agresive, por gjithmonë e qetë dhe shumë stabile”, theksoi ai.
Bregaj madje tha se dje e kishte takuar 63-vjeçaren, por nuk kishin vërejtur ndonjë ndryshim apo dyshim tek ajo.
“Dje ka qenë në zyrën time, jemi konsultuar për notimin e nxënësve që ka qenë nga tri në dy periudha, jemi konsultuar edhe me koordinatoren e cilësisë, asgjë nuk kemi vërejtur, përkundrazi kemi pas me shkuar të dielën në vizitë në Shqipëri, edhe ajo ka qenë pjesë e kësaj vizite”, theksoi Bregaj.
E në përkujtim të arsimtares së gjeografisë, S.G, nxënësit dhe kolegët e të ndjerës kanë ndezur qirinj në ambientet e shkollës “Dardania”, në Prishtinë.
63-vjeçare u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në rrugën “Mark Isaku”, në kryeqytet. Vrasjen e saj dyshohet se e kreu me sëpatë bashkëshorti i saj, I.G, i cili është vetëdorëzuar në Polici dhe tashmë është i arrestuar.