Java që po lëmë pas vijoi me ngjarje të rëndësishme, duke nisur nga fillimi i procesit mësimor, kur në ditën e parë në shkollë një nxënës u therr me thikë për vdekje afër objektit të shkollës, e deri tek çështjet politike, si moscertifikimi i listave të VV-së, AAK-së dhe Nismës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Më poshtë janë 7 ngjarjet kryesore të javës:
1. Të hënën, më 18 janar, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nisën gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor. Pandemia e Covid-19 ka qenë arsye për pushim dimëror më të gjatë se zakonisht por edhe për kufizime të ndryshme në procesin mësimor. Në shumicën e shkollave nxënësit ende e ndjekin mësimin me klasat e ndara në dy grupe dhe me orë të shkurtuara.
Derisa në shumë shkolla të vendit kjo u përcoll me gëzim për rikthimin në procesin mësimor, në Prizren u shënua një tragjedi pasi atje një i mitur humbi jetën nga një incident me therrje me thikë, që ndodhi pikërisht afër objektit të shkollës ku vijonte mësimin, raporton Demokracia.com
Për këtë, policia e Kosovës ka arrestuar dy të mitur, të cilëve Gjykata Themelore e Prizrenit u ka caktuar nga një muaj paraburgim.
“Kërkesën e prokurorisë së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së (në kuptim të nenit 61 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur) dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të miturve do ti llogaritet prej datës 22.01.2021 deri me datën 21.02.2021.”, është bërë e ditur nga Gjykata.
2. Dita e martë u karakterizua me një tjetër ngjarje, pasi në këtë ditë u mor vendimi për rastin e njohur si “Veteranët”. 12 personat që akuzoheshin, u shpallën të pafajshëm.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishin akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
3. E mërkura shënoi një prej ngjarjeve më të rëndësishme në botë, inaugurimin e presidentit të 46-të amerikan, Joe Biden, dhe të zëvendëspresidentes të parë grua në SHBA, Kamala Harris, raporton Demokracia.com
Biden në inaugurimin e tij tha se demokracia është e brishtë dhe e çmuar.
“Sot ne festojmë triumfin, jo të një kandidati, por të një kauze – kauzës së demokracisë. Vullneti i njerëzve është dëgjuar dhe vullneti i njerëzve është marrë parasysh. Ne kemi mësuar përsëri që demokracia është e çmuar Demokracia është e brishtë. Dhe në këtë orë, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar “, tha Biden.
Sidoqoftë, gjatë së mërkures pati zhvillime edhe në Kosovë.
Gjatë ditës Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) njoftoi se janë 47 kandidatë për deputetë që nuk mund të certifikohen për shkak të veprave penale, nga gjithsej 1018 që ishin në listat e partive.
4. Dita e enjte pasoi me kërcënime që iu bënë kryetares së këtij institucioni, Valdete Daka, pikërish për këtë çështje, e cila në një konferencë për media tha se nuk përkrah dhe nuk mbron asnjë parti politike.
”Unë nuk e kam shkruar ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as nuk e kam votuar. Si drejtuese e KQZ-së i garantoj qytetarët se do ti zbatoj Kushtetutën dhe ligjet. KQZ nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike, dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë partie politike.” tha Daka.
Po në këtë ditë, Demokracia.com raportoi ekskluzivisht se Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të afatit të shkurtër, por edhe për shkak të pandemisë.
Nga Zyra e BE-së për Demokracia.com thanë se se megjithatë do të dërgojnë një mision të Ekspertëve Zgjedhorë, ndërkaq Demokracia në Veprim vlerësoi se një vendim i tillë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit.
Lexoni lajmin duke klikuar KËTU.
5. Të premten pati zhvillime të tjera sa i përket situatës politike në vend.
KQZ në një mbledhje që zgjati plot shtatë orë, pasi hodhi në votim vendosi që të mos certifikojë listat me kandidatë për deputetë të VV-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, si dhe certifikoi ato të PDK-së dhe LDK-së.
Partitë, listat e të cilave nuk u certifikuan kanë kohë deri më 31 janar që të dërgojnë ankesë në PZAP.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet që të mbahen më 14 shkurt./Demokracia.com